Një prej studimeve më të cituara lidhur me paragjykimin gjinor në fushën e shkencave është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi një hulumtim i ri – i kryer sipas të njëjtit model – ka arritur në përfundime krejt të kundërta.
Eksperimenti fillestar, i publikuar në vitin 2012, përfshinte 127 profesorë të shkencave, të cilëve iu kërkua të vlerësonin CV të sajuara, identike në çdo detaj përveç emrit të kandidatëve. Rezultatet e asaj kohe treguan se aplikanti i quajtur “John” u konsiderua më kompetent, më i punësueshëm dhe i denjë për pagë më të lartë sesa kandidatja “Jennifer”.
Ky studim u përdor gjerësisht si provë e paragjykimit të fshehtë ndaj grave në fushat STEM dhe është cituar mbi 4,600 herë në literaturën shkencore.
Çfarë tregoi hulumtimi i ri?
Një ekip studiuesish nga Universiteti Rutgers në New Jersey vendosi ta përsëriste eksperimentin me një kampion shumë më të madh. Rreth 1,300 profesorë nga më shumë se 50 institucione amerikane u ftuan të vlerësonin të njëjtat materiale aplikimi, sërish me emra të ndryshëm gjinorë.

Këtë herë, rezultatet dolën krejt ndryshe:
Sipas autorëve të studimit, këto gjetje sfidojnë narrativën e përhapur ndër vite se gratë vazhdojnë të jenë të nënvlerësuara sistematikisht në shkencë dhe teknologji.
Kontroversi me revistën prestigjioze ‘Nature’
Studiuesit Nathan Honeycutt dhe Lee Jussim thanë se kërkesa e tyre për të botuar replikimin në revistën Nature Human Behaviour u refuzua. Sipas tyre, refuzimi mund të ketë qenë rezultat i njëanshmërisë së mundshme për të mbrojtur rezultatet e studimit origjinal.
“Nuk mund ta dimë me siguri, por kjo është dyshimi ynë bazuar në komentet dhe kundërshtimet që morëm,” tha Dr. Honeycutt për The Times.
Pas refuzimit, ekipi botoi rezultatet e tyre në revistën shkencore Meta-Psychology.
Studimi origjinal dhe debati i ri
Studimi i vitit 2012, me titull “Science faculty’s subtle gender biases favour male students” sugjeronte se kandidatja femër shihej si më pak kompetente dhe, për pasojë, më pak e punësueshme. Ai përfundonte se paragjykimet e nënvetëdijshme të profesorëve kundër grave luanin një rol kyç në vendimmarrje.
Por ky version i realitetit po sfidohet nga studimi i ri, i cili sugjeron se dinamika e perceptimeve gjinore mund të ketë ndryshuar ose që rezultatet e vitit 2012 mund të kenë qenë më pak të përgjithësueshme sesa besohej.
Erika Pastrana, nënkryetare e portofolit të revistave Nature Research Journals, mohoi çdo pretendim për ndikim narrativ në vendimmarrje.
“Vendimet tona për pranimin ose refuzimin e studimeve bazohen vetëm në kriteret editoriale dhe rigorozitetin metodologjik,” tha ajo. /GazetaExpress/