Studim: Përdoruesit e kanabisit gati dyfish më të rrezikuar nga sulmi në zemër - Gazeta Express

Studim: Përdoruesit e kanabisit gati dyfish më të rrezikuar nga sulmi në zemër

Shneta

Gazeta Express

08/09/2021 9:49

Sipas një studimi, përdorimi i kanabisit pothuajse e dyfishon rrezikun për të përjetuar sulm në zemër te të rriturit nën moshën 45-vjeçare.

Në hulumtimin e publikuar në revistën shkencore “The Canadian Medical Association Journal”, të rriturit nën moshën 45-vjeçare, të cilët konsumuan kanabis brenda 30 ditëve të fundit, pësuan gati numër dyfish më të madh të sulmeve në zemër në krahasim me ata që nuk e përdorën këtë drogë.

Lexo Edhe:

Hulumtuesit i analizuan të dhënat e më shumë se 33.000 të rriturve të moshave mes 18 e 44-vjeçare, të përfshirë në anketat e Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve më 2017 dhe 2018, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Nga 17 për qind e të rriturve, të cilët raportuan për përdorim të kanabisit në muajin e fundit, 1.3 për qind e tyre më vonë pësoi sulm në zemër, ndërsa kjo përqindje në mesin e atyre që nuk kishin përdorur kanabis ishte vetëm 0.8 për qind.

Disa njerëz pretendojnë se konsumimi i kanabisit është i sigurt dhe nuk mund ta dëmtojë trupin, por kjo është e pasaktë, tha autori që e udhëhoqi studimin, Dr. Karim Ladha nga Universiteti i Torontos në Kanada.

“Ka dëshmi që po shtohen se kjo mund të jetë potencialisht e dëmshme për ju, edhe në aspektin afatgjatë, edhe në atë afatshkurtër”, tha ai.

Sipas tij, përdorimi i kanabisit mund ta çrregullojë ritmin e zemrës dhe ta kufizojë sasinë e oksigjenit që dërgohet në zemër./Gazeta Express