Një grip i ri, që sipas ekspertëve ka potencialin të kthehet në pandemi, së fundmi është identifikuar në Kinë, shkruan BBC.
Ky virus gjendet në derra por mund të infektoj edhe njerëzit. Studiuesit janë të shqetësuar se ky virus mund të pësoj mutacione, dhe të përhapet shumë lehtë nëpërmes njerëzve dhe të shkaktoj kështu një shpërthim global të ngjashëm me atë të Covid-19, me të cilin po përballemi aktualisht.
Ndërsa nuk është një problem i menjëhershëm, sipas shkencëtarëve ky virus ka të gjitha shenjat se mund të jetë një grip mjaft i rrezikshëm për të ardhmen, prandaj ka nevojë për monitorim të afërt. Sipas tyre, nevojitet një monitorim i menjëhershëm i të gjitha punonjësve të industrisë së mishit të derrave, në mënyrë që të mund ta parandalojmë një pandemi tjetër.
Gripi i derrave, i cili shpërtheu në vitin 2009, ishte shumë më pak i rrezikshëm se sa mendohej në fillim, për shkak se shumë njerëz të moshuar kishin antitrupa ndaj tij, kjo për shkak të ngjashmërisë së këtij virusi me gripin sezonal dhe gripet e tjera të mëparshme.
Sa të shqetësuar duhet të jemi?
Virusi i zbuluar së fundmi, i quajtur G4 EA H1N1, mund të rritet dhe të riprodhohet në qelizat e sistemit të frymëmarrjes. Shkencëtarët gjetën prova të këtij infeksionit në industrinë e derrave në Kinë, ku analizuan disa të dhëna nga viti 2011 deri në vitin 2018.
“Tani për tani jemi të fokusuar në mposhtjen e pandemisë aktuale të Covid-19, mirëpo ne nuk duhet të humbim vëmendjen ndaj viruseve të tjera, të cilat potencialisht përbëjnë rrezik për të ardhmen e njerëzimit”, tha Kin Chang, profesor në Universitetin e Nottingham në Britaninë e Madhe.
Ai gjithashtu tha për BBC, se njerëzimi është vazhdimisht në rrezik të shfaqjes së patogjenëve të rinj, të gjendur kryesisht në kafshë dhe shtazë, me të cilat njerëzit kanë kontake të vazhdueshme, prandaj duhet të krijohet një barrierë në mes të njerëzve dhe botës së egër, në mënyrë që të parandalojmë një pandemi të ardhëshme. /Gazeta Express