Një studim i ri shkencor nga Holanda ka hedhur dritë mbi një debat të vjetër: a janë më të mirë për trupin sheqernat apo ëmbëlsuesit artificialë?
Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore “Nature Metabolism”, sugjerojnë se zëvendësimi i sheqerit me ëmbëlsues artificialë dhe përforcues të ëmbëlsisë (S&SEs) mund të ndihmojë në humbjen e peshës dhe përmirësimin e shëndetit të zorrëve, veçanërisht tek personat mbipeshë.
Humbje më e madhe peshe dhe ndikim në mikrobet e zorrëve
Sipas studiuesve, personat që përdorën ëmbëlsues artificialë në vend të sheqerit humbën mesatarisht 1.6 kilogramë më shumë në vit krahasuar me ata që vazhduan të konsumonin sheqer.
Edhe pse diferenca nuk është shumë e madhe, shkencëtarët theksojnë se ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve – komuniteti i baktereve, kërpudhave dhe viruseve që ndihmojnë tretjen – mund të kenë efekte pozitive afatgjata.
Në veçanti, u vu re rritja e acidit yndyror me zinxhir të shkurtër (SCFAs) dhe baktereve që prodhojnë metan, elementë që përmirësojnë procesin e fermentimit dhe ndihmojnë në prishjen e karbohidrateve të patretshme – çka mund të mbështesë procesin e humbjes së peshës.
Disa studime të mëparshme kanë sugjeruar gjithashtu se SCFAs mund të rregullojnë oreksin dhe të ndihmojnë trupin të përdorë më mirë energjinë.
Si u zhvillua studimi
Në këtë kërkim morën pjesë 325 të rritur me një moshë mesatare 47 vjeç dhe 36 fëmijë rreth 10 vjeç. Rreth 71% e të rriturve ishin gra.
Pjesëmarrësit u ndanë në mënyrë të rastësishme në dy grupe: një grup që zëvendësoi produktet e pasura me sheqer me ëmbëlsues artificialë, dhe një grup tjetër që vazhdoi të konsumonte sheqer.
Në fazën e parë (dy muaj), të rriturit duhej të humbnin të paktën 5% të peshës së tyre trupore, ndërsa fëmijët të ruanin peshën. Më pas vijoi një periudhë 10-mujore me regjim ushqimor të shëndetshëm dhe të lirë në zgjedhje.
Në fund të periudhës njëvjeçare, grupi me ëmbëlsues artificialë shënoi humbje më të madhe peshe dhe ulje më të lartë të indeksit të masës trupore (BMI), si dhe përmirësim në nivelet e kolesterolit “të mirë” (HDL) dhe “të keq” (LDL).
Efekte anësore dhe paralajmërime
Megjithatë, studimi evidentoi edhe efekte anësore më të shpeshta në grupin e ëmbëlsuesve artificialë – përfshirë fryrje, dhimbje barku dhe gazra të tepërta.
Autorët pranuan gjithashtu disa kufizime, si shkalla e lartë e braktisjes së pjesëmarrësve (rreth 10% më e lartë se sa ishte parashikuar).
Një nga autorët e studimit deklaroi:
“Ëmbëlsuesit artificialë përmirësojnë kontrollin e peshës dhe përbërjen e mikrobiotës së zorrëve, ndërsa nuk kanë ndikim negativ në shëndetin metabolik.”
Por vlen të përmendet se njëri nga autorët ka marrë pagesa nga kompani si Nestlé, Unilever dhe International Sweeteners Association, gjë që ka ngjallur debate mbi paanshmërinë e rezultateve.
Polemikat mbi ëmbëlsuesit artificialë
Ky studim vjen disa muaj pasi ekspertë nga Universiteti i Kolorados paralajmëruan se disa ëmbëlsues “pa kalori”, si eritritoli, mund të shkaktojnë mpiksje gjaku dhe inflamacion brenda disa orëve pas konsumimit, duke rritur rrezikun për atak kardiak apo goditje në tru.
Profesor Christopher DeSouza, drejtues i studimit amerikan, tha se këto gjetje “shtojnë provat që ëmbëlsuesit e ashtuquajtur ‘të sigurt’ mund të kenë rreziqe të fshehura shëndetësore.”
Edhe pse kërkimi holandez sugjeron se zëvendësimi i sheqerit me ëmbëlsues artificialë mund të ndihmojë në kontrollin e peshës dhe shëndetin e zorrëve, ekspertët paralajmërojnë se nevojiten më shumë studime afatgjata për të kuptuar plotësisht ndikimin e tyre në organizëm. /GazetaExpress/