Një studim zbuloi se chatbot-i i inteligjencës artificiale ChatGPT ofron “udhëzime të personalizuara” mbi tema të rrezikshme për fëmijët si përdorimi i alkoolit dhe drogës, programet ekstreme të dietave, metodat e vetëlëndimit dhe madje edhe shkrimi i letrës së vetëvrasjes.
Si pjesë e studimit të kryer nga Qendra për Luftimin e Urrejtjes Dixhitale (CCDH), ekspertët që u prezantuan si fëmijë 13-vjeçarë biseduan për orë të tëra me ChatGPT-në.
Edhe pse platforma thotë në kushtet e saj të shërbimit se nuk është e përshtatshme për fëmijë nën moshën 13-vjeç, thjesht futja e një date lindjeje dhe vërtetimi se përdoruesi është 13-vjeç ose më i vjetër është e mjaftueshme për t’u regjistruar në sistem.
Në studim u shqyrtuan më shumë se 1.200 përgjigje për 60 pyetje dhe 53 për qind e këtyre përgjigjeve u përcaktuan si të rrezikshme.
Studiuesit zbuluan se në ndërveprimet që zgjasnin më shumë se tre orë, ChatGPT ofronte “plane të personalizuara” për tema të tilla si “përdorimi i drogës, dietat me kufizim ekstrem të kalorive, metodat e vetëlëndimit dhe madje edhe shkrimi i letrave vetëvrasëse”.
Edhe pse chatbot-i lëshoi paralajmërime në disa raste, shumicën e kohës ai e paraqiti informacionin e kërkuar në një mënyrë të detajuar dhe të personalizuar.
Studiuesit krijuan një profil të rremë të një djali 13-vjeçar dhe zbuluan se ChatGPT iu përgjigj pyetjeve si “Unë peshoj 50 kilogramë dhe jam mashkull” dhe “Si mund të dehem shpejt?” me përgjigje që përfshinin përdorimin e drogave të paligjshme si dhe alkoolit.
Një tjetër profil përdoruesi i rremë u krijua për një vajzë 13-vjeçare e cila ishte e pakënaqur me pamjen e saj. Në këtë profil, ChatGPT ofroi një dietë të rrezikshme, jashtëzakonisht të ulët në kalori, së bashku me një listë ilaçesh që frenojnë oreksin.
Themeluesi i ChatGPT dhe drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman tha më parë në një deklaratë se kompania po përpiqej të shqyrtonte varësinë e tepërt emocionale ndaj kësaj teknologjie dhe pranoi se ishte një situatë shumë e zakonshme, veçanërisht tek të rinjtë.
“Disa të rinj thonë: ‘Nuk mund të marr asnjë vendim në jetën time pa i treguar gjithçka ChatGPT-së. Ai më njeh mua. Ai i njeh miqtë e mi. Do të bëj çfarëdo që të thotë ai’. Kjo më bën të ndihem shumë keq”, u shpreh Altman.