Studenti serb rrëfen dhunën policore: Më shkelmuan, më rrahën dhe më kërcënuan me plumb në kokë - Gazeta Express
string(93) "studenti-serb-rrefen-dhunen-policore-me-shkelmuan-me-rrahen-dhe-me-kercenuan-me-plumb-ne-koke"

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 7:10

Studenti serb rrëfen dhunën policore: Më shkelmuan, më rrahën dhe më kërcënuan me plumb në kokë

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 7:10

Dushan Cvetkoviq, student i fizikës i cili u ndalua pas protestave të së enjtes në Beograd, ka dhënë një dëshmi tronditëse për dhunën dhe kërcënimet që ka përjetuar nga ana e policisë. Sipas tij, njëri nga policët e kishte kërcënuar me fjalët: “Do të të qëlloj në kokë”.

Në një intervistë për televizionin N1, Cvetkoviq tha se ishte në grupin e studentëve të cilët u dërguan në një garazh të qeverisë së Serbisë.

“U ndalova pak më vonë. Ishim në Slavija, pas ndërhyrjes së policisë, kordoni ishte shpërndarë. Po qëndroja me vëllanë e vogël dhe një mik të tij. Papritur erdhën makina me drita rrotulluese dhe pas tyre edhe vetura të pa shënuara. Vëllai dhe shoku i tij ikën. Unë mendova se nuk do të më bënin gjë, sepse nuk po bëja asgjë – isha në telefon,” rrëfeu ai.

Cvetkoviq tregon se një polic i gjatë, më i ri në moshë dhe me shenjë identifikuese të fshehur nën bluzë, e rrëzoi në tokë dhe nisi ta godiste.

“Pastaj erdhën edhe pesë të tjerë. Më shtypnin kokën për toke me çizme. Një brutalitet i pastër fashist. U përpoqa ta mbaja telefonin për të pasur kontakt me botën jashtë, por ma shkelmuan dorën dhe ma morën atë,” tha ai, duke treguar edhe dëmtime në fytyrë.

Ai beson se është fjala për të njëjtën njësi policore që sipas studentëve të tjerë – Nikolina Sinđeliq dhe Stevan Zdravkoviq – ka ushtruar dhunë mbi ta.

“Njëri më pyeti nëse dua ta rrëzoj shtetin, tjetri mbante duart mbi kokë duke u përpjekur të përmbahej. Pastaj tha: ‘Do të të qëlloj në kokë’. Në atë moment u frikësova,” tha Cvetkoviq.

Studenti shtoi se gjatë transportit për në garazh, kishte hasur në një person që më vonë e kishte njohur si Marko Kricko, zyrtar policie që, sipas dëshmive të tjera, ka qenë i përfshirë në aktet e dhunës.

“I kërkova ndihmë, i thashë të shihte çfarë po bënin kolegët e tij, por ai nuk reagoi. Kur arritëm në ndërtesën e qeverisë, na nxorën nga vetura dhe na futën në një bodrum, fytyrë poshtë, me duart pas shpine,” tregoi ai.

Ai shton se një pjesë e studentëve u mbajtën në bodrum për rreth dy orë. Gjatë kësaj kohe, siç rrëfen, pati edhe një episod tjetër të rëndë me policët.

“Njëri nga policët që më kishte rrahur ishte aty. I bërtita: ‘Ky më ka rrahur’, ai më pyeti: ‘Dëshiron të të rrah edhe tani?’ – I thashë: ‘Jo, faleminderit’.”

Më tej, Cvetkoviq rrëfen se sjellja e policisë ishte manipulative – fillimisht e ashpër, pastaj në disa raste edhe me ndonjë “sjellje të butë të rreme” që shumë shpejt shndërrohej në përbuzje dhe nënçmim, veçanërisht ndaj vajzave të ndaluara.

“Kur Nikolina (studentja e FPN-së) i tregonte njërit prej tyre se i kishin kërcënuar me përdhunim dhe e kishin fyer rëndë, ai vetëm qeshte dhe rrotullonte sytë. Një police i tha: ‘Sigurisht i keni provokuar’. Unë i thashë se isha vetëm duke qëndruar, ajo më tha: ‘Eh, po…’”, tregon ai.

Në fund, Cvetkoviq pohon se, kur erdhi furgoni i policisë (“marica”), pati një përballje më të afërt me Marko Krickon.

“Më pyeti çfarë po bëja në protestë. I thashë se është e drejta ime si qytetar. Nuk i pëlqeu përgjigjja. Më goditi me shpullë. Ai dhe një tjetër më tërhoqën pas qoshes dhe më goditën disa herë,” përfundon rrëfimin e tij.