Ajo që filloi si një homazh për 16 viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku më 1 nëntor 2024 një strehë e renovuar u shemb mbi qytetarët, është shndërruar në një moment historik që mund të përcaktojë fatin politik të regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Pas gjashtë muajsh protesta të pandërprera, studentët që udhëhoqën bllokadat në universitete në mbarë vendin kanë kërkuar zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pritjet për protestën e paralajmëruar për 28 qershor – Ditën e Vidovdanit – janë të larta, me sinjale se mund të shënojë një pikë kthese për Serbinë.
Tragjedia në Novi Sad u përjetua fillimisht si një tjetër incident pa pasoja për pushtetin, por reagimi qytetar shpejt mori dimensione të papritura. Aksionet simbolike të “16 minutave heshtje”, të zhvilluara çdo ditë në rrugët kryesore të qyteteve si homazh për viktimat, u shndërruan në qendra rezistence.
Pika e kthesës ndodhi kur studentët që po përkujtonin viktimat para Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd u sulmuan fizikisht, duke u konfrontuar me individë të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS). Kjo nxiti fillimisht bllokadën e këtij fakulteti dhe më pas solidarizimin e universiteteve të tjera shtetërore dhe private në të gjithë vendin.
Studentët kanë paraqitur një listë të qartë kërkesash: publikimi i dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, arrestimi i sulmuesve të studentëve dhe profesorëve më 22 nëntor, lirimi i të arrestuarve gjatë protestave dhe rritje prej 20% e financimit për universitetet publike.
Megjithëse pushteti ka pretenduar se ka përmbushur disa kërkesa, studentët dhe shoqëria civile e kanë konsideruar këtë një manipulim, pasi asnjë nga kërkesat thelbësore nuk është zbatuar realisht. Ndërkohë, represioni është intensifikuar: dy vajza studente u goditën nga makina në Beograd gjatë protestave, ndërsa në Novi Sad një vajzë u rrah me shufër metalike nga aktivistë të SNS-së.
Pas muajsh mobilizimi, protestat u zgjeruan nga Beogradi në qytete si Novi Sadi, Nishi dhe Kragujevci. Më 15 mars u mbajt një protestë e madhe në Beograd, ku protestuesit akuzuan autoritetet për përdorim të armëve zanore kundër turmave paqësore – një incident për të cilin studentët kërkuan hetim të pavarur.
Përveç kësaj, studentët kanë kërkuar edhe hetimin e vizitës së Vuçiqit në një spital të Maqedonisë së Veriut, ku pacientët e plagosur nga një zjarr u përdorën për spektakël mediatik.
Më 1 maj, studentët zyrtarisht kërkuan zgjedhje parlamentare të parakohshme, duke theksuar se “demokracia është mënyra e vetme për të zgjidhur krizën e thellë politike”. Ata kanë paralajmëruar se do t’i japin përkrahje një liste zgjedhore që do të përfaqësojë kërkesat e tyre në Kuvend.
Studentët kanë paralajmëruar një protestë të madhe për 28 qershor, Ditën e Vidovdanit, një datë simbolike për historinë serbe. “Ky nuk do të jetë një protestë si çdo tjetër. Do të ndodhë diçka që nuk pritet,” tha një nga përfaqësuesit studentorë.
Vuçiq ka reaguar duke thënë se “nuk kanë asnjë shans”, ndërsa ka paralajmëruar se pushteti nuk do të organizojë zgjedhje para afatit të rregullt, që është për një vit e gjysmë apo më shumë.
Sociologu Dejan Bursaç nga Instituti për Filozofi dhe Teori Shoqërore thotë se Serbia ka hyrë në një fazë të re të betejës politike.
“Studentët kanë ndryshuar terrenin – kanë sjellë guximin për t’u përballur me pushtetin dhe kanë çliruar njerëzit nga frika. Kjo është arsyeja pse regjimi i Vuçiqit po lëkundet – sepse nuk mund ta kontrollojë më narrativën dhe elektoratin si dikur”, tha Bursaç.
Ai thekson se edhe pse është ende herët për të parashikuar rezultatin politik, një gjë është e sigurt: “Ky zjarr i ndezur nuk do të shuhet lehtë.”