Studentët dhe aktivistët që marrin pjesë në protestat dhe bllokadat në Novi Sad kanë akuzuar Prokurorinë dhe Gjykatën e Lartë të këtij qyteti për ndjekje politike ndaj studentëve, profesorëve dhe aktivistëve. Ata kanë bërë thirrje për qytetarët që të marrin pjesë në bllokimin e 30 kryqëzimeve në Novi Sad sot në orën 18:00.
Deklarata e tyre erdhi pas vendimit të djeshëm të Prokurorisë së Lartë Publike (VJT), e cila ka paraqitur aktakuzë kundër 12 aktivistëve, nga të cilët gjashtë ndodhen në paraburgim, ndërsa gjashtë të tjerë janë jashtë vendit nga frika për t’u kthyer në Serbi.
Sipas deklaratës së studentëve, prokuroria kërkon dënime maksimale me burg për të gjithë të akuzuarit, zgjatje të paraburgimit dhe gjykim në mungesë për ata që janë jashtë vendit.
Studentët kanë kritikuar gjithashtu vendimin e Gjykatës së Lartë për të anuluar lirimin e kolegut të tyre Veljko Petroviq dhe për ta kthyer çështjen për vendim të ri. Petroviq ishte arrestuar më 28 prill, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj dekanit të Fakultetit të Sportit dhe Edukatës Fizike, Patrik Drid, por studentët pretendojnë se pamjet filmike dëshmojnë se nuk ka pasur asnjë kontakt fizik.
Ata kanë publikuar emrat e zyrtarëve që konsiderojnë përgjegjës për këtë që ata e quajnë “ndjekje politike”.
Bllokimi i kryqëzimeve është paralajmëruar gjithashtu nga këshillat e lagjeve të qytetit, të cilët kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta për këshillat e bashkësive lokale.
Protestat po vazhdojnë si shenjë rezistence ndaj projekteve të dyshimta zhvillimore dhe veprimeve të cilat aktivistët i konsiderojnë korruptive dhe të dëmshme për qytetin.