Legjislatura e 11-të nisi me debate mes mazhorancës dhe opozitës për shkak të kërkesës së PS për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit. Socialistët argumentuan se Parlamenti ka nevojë për 11 komisione të përhershme për t’u përshtatur me nevojat e procesit të integrimit. Por opozita akuzoi mazhorancën se po i realizon ndryshimet pa respektuar procedurën.
Por pavarësisht kundërshtimit të opozitës, Partia Socialiste futi në rend dite ndryshimin e rregullores.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi akuza të rënda ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi dhe kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij Berisha tha se po shkelmohet Kushtetuta dhe vullneti i shqiptarëve.
Berisha: Të fillosh detyrën duke shkelmuar Kushtetutën, duke përjashtuar të gjitha hapësirat e përcaktuara nga Kushtetuta, damkos në mënyrë përfundimtare veten tënde, tregon se nuk je gjë tjetër, vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama.
Shkelmimi i Kushtetutës, është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë të të gjithë spektrit, shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit, vetëm e vetëm se ju doni me shpejtësi të lani duart si Ponç Pilati pas krimit që kryeni.
Si ka mundësi, a keni ju, çfarë të thuash, njerëz që lexojnë Kushtetutën? A ke ti këshilltarë që paguan që të të lexojnë ty Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit, e cila për parlamentin është Kushtetuta e parlamentit, është ligji më i rëndësishëm i vendit, pas Kushtetutës.
Pra, aq peshë sa ka parlamenti në jetën e një shteti dhe të vendit.
Ky është një provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit. Ky është një provokacion i ulët, që ju i bëni qytetarëve të këtij, që i bëni opozitës së këtij vendi.
Akt i turpshëm! Çfarë do të thotë kjo? Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit e keni atë, që silleni në këtë mënyrë?
Prandaj dhe merr vendimin, mblidhi këshillat dhe të zbatohet Kushtetuta.