Avokati i Popullit, zyra rajonale në Kërçovë hapi procedurë me vetiniciativë për mungesën e ujit të pijshëm në Strugë. Ky hap vjen pas reagimeve të shumta nga qytetarët, përcjell Gazeta Express nga Alsat.
“E drejta për ujë të pijshëm të sigurt dhe të mjaftueshëm është një e drejtë themelore njerëzore, e lidhur ngushtë me të drejtën për jetë, shëndet dhe dinjitet njerëzor. Çdo kufizim i zgjatur, dyshim për cilësinë e ujit ose mungesë transparence nga ana e institucioneve kompetente krijon pasiguri dhe ndikon në interesin publik”, deklaroi Ilber Dauti, Avokat i Popullit, Zyra Rajonale – Kërçovë.
Nga Komuna e Strugës dhe Ndërmarrja Publike kërkohet raport i detajuar mbi situatën aktuale. Dauti thotë se çështja nuk duhet të trajtohet nga prizmi politik, por si prioritet vital për qytetarët. Ndërkohë banorët e fshatit Shum, këmbëngulin se për shkak të reshjeve të shiut ditëve të fundit është rritur sërish niveli i turbullimit të burimeve nga ku furnizohet pjesa më e madhe e Strugës me ujë të pijshëm. Banorët paralajmërojnë protesta.
“Do të kemi edhe protesta më të mëdha. Po organizohemi edhe me diasporën — diskutuam që do të ketë protesta si në qytet ashtu edhe para komunës”, tha Zogu Beluli – banor i fshatit Shum.
Sipas analizës së sotme të Qendrës së Shëndetit Publik, turbullira e burimeve është 3.92 edhe pse kufiri minimal i lejuar është 1.5. /Alsat.mk
tag_katrorimaqedoni_2