Stres, stres, stres në FFK - Gazeta Express
string(24) "stres-stres-stres-ne-ffk"

Valon Konushevci

12/08/2020 14:50

Stres, stres, stres në FFK

Valon Konushevci

12/08/2020 14:50

Në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovë po “vlon” stresi. Drejtuesit e saj janë “djersitur” tani kur tri klube kosovare e kanë filluar pjesëmarrjen në garat evropiane në kohë pandemie, e po ashtu kur po afrohen ndeshjet e shtatorit të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve.

Krejt këto ndeshje në pikë të pandemisë, kur të gjitha shtetet po aplikojnë masa mbrojtëse e po ashtu UEFA kërkon kontroll të rreptë. Për FFK-në situatën e “tmerron” edhe politika, kur dihet se disa shtete nuk e njohin Kosovën, e po ashtu mbetet në fuqi regjimi i vizave, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Më 3 shtator Kombëtarja e Kosovës do të duhej që edicionin e ri të Ligës së Kombeve ta fillonte me ndeshjen si mysafire e Moldavisë. Mirëpo, moldavët si vendas Kosovën duhet ta presin në Itali për shkak se shteti i tyre nuk e njeh Kosovën e as pasaportat e saj.

Italia e ka përjetuar rëndë koronavirusin që i ka shkaktuar mijëra viktima. Andaj është detyruar të ndërmarr masa mbrojtëse. Për më tepër Italia e ka një vendim në fuqi që i mban të mbyllur kufijtë për shtetasit e Kosovës, ku koronavirusi ka shënuar përhapje të madhe.

Kështu, në Itali mund të udhëtojnë disa futbollistë të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë, duke i përdorur pasaportat tjera. Por, për një pjesë të madhe të stafit nevojiten vizat, e pos kësaj, nuk dihet nëse do të lejohen të hyjnë në Itali. Duke ia shtuar kësaj faktin se FFK duhet ta mbaj nën kontroll edhe shëndetin e ekspeditës nga koronavirusi përmes testeve bën që stresi dhe lodhja e drejtuesve të shtëpisë së futbollit ta prek kulmin.

“Nuk e keni idenë sa po punohet këtu dhe çfarë lodhje e çfarë stresi kemi. Vrapo pas testeve për koronavirus, vrapo pas vizave, vrapo pas çdo gjëje. Për Itali duhet të marrim viza, pastaj problem paraqet vendimi i saj që nuk i lejon shtetasit e Kosovës të hyjnë atje, ku është mosnjohja e Kosovës politikisht nga Moldavia. Ndërsa, ne nuk jemi ndonjë shtet i fortë dhe me ndikim që sadopak do të na lehtësonte proceset”, tha për Gazetën Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Në anën tjetër, vetëm tri ditë më vonë, më 6 shtator, Kosova duhet ta pres Greqinë në Prishtinë, në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Këtë takim FFK duhet ta organizojë konform protokollit të UEFA-s special për COVID-19. Ndërkohë, më 12 shtator duhet të jetë gati për fillimin e kampionatit të ri në Kosovë. /GazetaExpress/