Në çatinë e pallatit “Boris Sarafov”, ku ndodhet Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), ka nisur ndërtimi i një strehe të çeliku, për të cilën parashihet të shpenzohen deri në gjysmë milioni euro.
Sipas dokumenteve të publikuara në tenderin përkatës, streha do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1300 metra katrorë rreth kupolës kryesore të çatisë dhe do të shërbejë për mbrojtjen e përmendoreve të vendosura aty.
“Në kuadër të këtij prokurimi publik synohet përgatitja e dokumentacionit teknik për realizimin e punimeve ndërtimore për ndërtimin e strehës mbi nivelin e fundit – tarracën e rrafshët të objektit të MPJ-së në rrugën ‘Filip Vtori Makedonski’ nr.7 në Shkup. Qëllimi është mbrojtja nga ndikimet atmosferike si shiu, bora dhe breshëri, ndërsa në një pjesë të saj parashihet në të ardhmen të vendosen edhe panele fotovoltaike”, thuhet në programin e projektit për prokurim publik.
Kontrata për realizimin e projektit është lidhur me kompaninë ndërtimore “Pyramid Building Solutions”, e cila ishte ofertuesja e vetme në procedurën e tenderimit. Procedura është zhvilluar si procedurë e thjeshtuar, ndërsa vlera e kontratës arrin deri në 34 milionë denarë me TVSH.
Kjo kompani është e njohur për ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, që nga koha kur ai ishte kryetar i Komunës së Aerodromit. Sipas të dhënave publike, në vitin 2023 ajo ishte angazhuar nga komuna për mirëmbajtjen e shërbimeve higjienike dhe komunale, me kontratë në vlerë prej rreth 335 mijë eurosh.
Në atë periudhë, Qyteti i Shkupit paralajmëroi një gjobë prej 88 mijë eurosh për Komunën e Aerodromit, pasi kompania pretendohej se mbeturinat i kishte hedhur në selinë e Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) në Lisiçe të Re, në vend të deponisë “Drislla”. Mucunski, në cilësinë e atëhershme të kryetarit të komunës, i mohoi këto akuza.
“Pyramid Building Solutions” ka marrë pjesë shpesh në tenderët e Komunës së Aerodromit. Ndër të tjera, kompania fitoi edhe tenderin prej rreth 700 mijë eurosh për rindërtimin e sheshit prapa qendrës tregtare “Kapitoll”. Në fillimin e këtyre punimeve ndërtimore, në shkurt të vitit 2025, mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
tag_katrorimaqedoni_2
Rrjeti i pikave të Shell në Kosovë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pas kalimit në pronësi...