Strategji për “fitore”, Pacolli i quan sulme të “organizuara”, “mirëkoordinuara” dhe plane për ta “thyer” akuzat se familjarët i përfituan nga pushteti - Gazeta Express
string(126) "strategji-per-fitore-pacolli-i-quan-sulme-te-organizuara-mirekoordinuara-dhe-plane-per-ta-thyer-akuzat-se-familjaret-i-perfitu"

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 17:27

Strategji për “fitore”, Pacolli i quan sulme të “organizuara”, “mirëkoordinuara” dhe plane për ta “thyer” akuzat se familjarët i përfituan nga pushteti

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 17:27

Reagimet e qytetarëve të irrituar, Fitore Pacolli po i konsideron sulme të motivuara ndaj saj. Këto, ajo i përmend çdoherë kur pyetet për familjarët e saj që përfituan mijëra euro nga buxheti i shtetit. Ajo është angazhuar në sulme të vazhdueshme në përpjekjen e saj për t’u shfajësuar. Deputetja të hënën e shmangu me insistim një pyetje në RTK e cila mbeti pa përgjigje deri në fund të intervistës: “Çfarë ka të pasaktë në këto që kanë raportuar mediat?”. Pasi u kthye në shtëpi e sulmoi gazetaren se kishte “mision të porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet e saj ishin të dirigjuara”.

Gazeta Express

Mediat dhe kushdo që në kontekst jopozitiv ia përmendin emrin, janë target i Fitore Pacollit, deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, të cilës gati qe një vit i është dashur të angazhohet me sulme të vazhdueshme në një përpjekje për t’u shfajësuar nga akuzat e pamohuara prej saj se familjarë të saj përfituan mijëra euro nga buxheti i shtetit.

Telashet për Fitore Pacollin nisën më së shumti në nëntor të vitit të kaluar, kur u mor vesh se vëllai i saj, Blerim Pacolli përfitoi rreth 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, në formën e grantit.

Dy muaj pas vëllait të deputetes, rreth 100 mijë euro, po nga Ministria e Bujqësisë, i ishin ndarë edhe Sylejman Islamit, dajës së Fitore Pacollit – gjithashtu nga programi i granteve i Ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci.

Peci e kishte konfirmuar ndarjen e këtyre parave, por duke thënë se procesi kishte qenë “transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor”.

Së fundmi, edhe Ilir Dalipi, bashkëshorti i Fitore Pacollit, u raportua se ka përfituar 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës. Siç ka shkruar gazetari Lirim Mehmetaj, paratë i ishin ndarë atij përmes “Defy Them”, një organizate joqeveritare të themeluar nga burri i deputetes.

E gjithë kjo, Pacolli ka thënë se është një “fushatë denigruese” ndaj saj.

“Kjo është industria e shpifjes me pagesë.. Ata që nuk mund të prodhojnë gazetari me vlerë, prodhojnë sensacion për qarkullim, dhe shpifin sepse shpifja u shitet më shtrenjtë. Prandaj është kthyer në industri”, shkroi ajo ditë më parë në një reagim në Facebook. Tha se bashkëshorti i saj ka vite që s’është pjesë e organizatës. Më pas nuk ka mohuar se organizata tash drejtohet nga burri i motrës së saj.

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës vitin e kaluar kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli për çështjen e ndarjes së granteve në bujqësi

Në njërën prej “përpjekjeve” për konstituimin e Kuvendit, deputeti i LDK-së, Paris Guri i kërkoi Fitore Pacollit që “t’i kthejë 200 mijë euro”.

Në njërën prej pjesëmarrjeve tjera në Kuvend, ai mbante veshur një bluzë, prapa së cilës shkruhej “Oj Fitore, a i ke kthy, jo 200 mijë, por 250 mijë euro?”.

Pacollit të premten iu desh të përballej me një qytetar, ndërsa po qëndronte në një kafene në Prishtinë. Ai iu afrua duke i thënë deputetes që t’ia paguajë faturën.

“I ke bërë milionat. A të kujtohet kur u thoshe ‘hajna’ atyre? E ju çfarë jeni? I keni bërë milionat. Marre të keni. Këtë shtet po e vjedhni. Hajna, hajna, hajna”.

Deputetja u çua në këmbë dhe iu kthye atij: “Unë nuk tutna, as nuk guxon të më prekësh”.

Për këtë reagim, qytetari u intervistua nga Policia po atë ditë.

“Referuar këtij rasti, i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’ dhe i njëjti më pas është proceduar i lirë”, tha një zëdhënës policor.

Pacolli shkroi në Facebook se ishte përballur me “një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal” atë ditë, dhe se personi që iu afrua “njihet në publik dhe nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme”

“Ky sulm nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar”, shkroi ajo, ndërsa tha se ai e kishte sulmuar fizikisht asistentin e saj dhe se ka tentuar “ta fusë dorën në çantën që mbante në krah, një çantë për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë”.

Dy ditë më vonë – të dielën, një qytetar tjetër i doli përpara deputetes që po shkonte në Kuvend.

“Tash për hajne, e ke me dokument. E ke me dokument. Nuk po të kërcënoj. Për hajne e ke me dokument”, tha ai, ndërsa mbante në duar një letër.

“Kur të duash ballafaqohemi me drejtësinë. Shko te organet e drejtësisë, shko në Polici. Mos hajde këtu”, i tha deputetja atij.

“Kur ta kesh qefin”, ia ktheu qytetari.

Edhe këtij rasti, deputetja ia kushtoi më pas një postim në Facebook, ku ndër tjerash, e shkroi edhe këtë fjali: “Qëllimi është i qartë: të më thyejnë, që të më rrëzojnë më lehtë”.

Përpjekja për shfajësim në RTK shndërrohet në një paraqitje të turpshme, LVV e heq njoftimin për intervistën

Fitore Pacolli dukej mirë, me një buzëqeshje të kontrolluar, jo spontane, por të matur, që shprehte vetëbesim e qetësi, në një postim në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook të hënën, ku njoftohej se ajo do të paraqitej pasdite në televizionin publik.

Paraqitja në RTK-në që drejtohet nga Rilind Gërvalla – i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë si aktivist i LVV-së – si duket shkoi krejtësisht kundër pritjeve që kishte partia dhe disponimi i deputetes ndryshoi që në fillim.

Njoftimi se deputetja ishte e ftuar në RTK prej orës 17:00 me ftesën për ta ndjekur intervistën, tani më nuk është në faqen e LVV-së në Facebook.

Gazetarja Blerta Foniqi Kabashi e vuri Pacollin menjëherë përballë raportimeve se burri, vëllai dhe daja i saj kanë përfituar rreth 250 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Deputetja u pyet fillimisht rreth raportimeve të fundit se burri i saj ka përfituar 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës përmes një organizate joqeveritare.

“Tani, para se të dalim te kjo organizata, është shumë me rëndësi të theksojmë se ditëve të fundit, jo vetëm ditëve të fundit, mirëpo po bëhen gati 3 vjet që unë sulmohem vazhdimisht prej disa ‘analistëve'”, tha fillimisht Pacolli. “Jam sulmuar padrejtësisht. Jam akuzuar padrejtësisht”, tha ajo. Më vonë e pranoi se burri i saj ishte bashkëthemelues i asaj organizate, por nuk u përgjigj kur u pyet nëse ajo tash drejtohej nga burri i motrës.

Pak pas fjalëve të para të Pacollit në intervistë, një pyetje e gazetares mbeti pa përgjigje deri në fund të saj: “Çfarë ka të pasaktë në këto që kanë raportuar mediat?”.

“Ju si gazetare, kur unë jam sulmuar aq shumë për këto dy tema, këto dy shembuj që i more, ish dashtë me më thirrë atëherë dhe me i diskutu”, tha Pacolli, duke i qëndruar deri në fund vendimit për ta shmangur këtë pyetje.

Foniqi Kabashi i tha se e ka ftuar edhe atëherë dhe se për ta verifikuar këtë mund t’i shihte mesazhet. “Keni anuluar intervistën sepse keni qenë diku jashtë Prishtinës”, tha ajo.

Gjithsesi, për Pacollin, tashmë ishte “shumë vonë” për t’iu përgjigjur pyetjeve konkrete nëse familjarë të saj kanë përfituar.

“A kanë marrë grant, zonja Pacolli, vëllai dhe daja juaj, nga 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë?”, ishte pyetja konkrete që nuk mori kurrfarë përgjigjeje – as “po”, as “jo”.

“Sikur të kishte interesu ty kjo çështje… Ke pritë një vit me më sulmu kaq shumë dhe me më pyet sot”, i tha Pacolli gazetares.

Gazetarja i tha se tashmë e kishte hapësirën, por deputetja ia preu: “Është shumë vonë”. Arsyetimi kohor, ishte mjaftueshëm për Pacollin për të mos hedhur poshtë asgjë nga pyetja.

Ajo insistoi që të përcillej një emision tjetër, ku ajo kishte folur dhe ku tha se u ka treguar votuesve “se si është e vërteta”.

“Për çka tjetër po do të flasim sot? Për çka tjetër do të flasim sot? Jo jo, për çka tjetër do të flasim sot? Për çka tjetër do të flasim sot?”, tha Pacolli, ndërsa gazetarja mbetej në këtë temë.

“Unë tani ju kam në studio, tani po ju pyes. Ju s’po e mohoni”, i tha Foniqi Kabashi.

Pacolli tha se nuk ka ndikuar në vendimet e ministrive për shpërndarje parash në forma të ndryshme.

Pa përgjigje konkrete mbeti edhe kjo pyetje: “Pse tani ju nuk keni përgjegjësi, e në të kaluarën kanë përgjegjësi të tjerët?”.

Përveç akuzave, Pacolli së fundmi është përballur me reagimin e të paktën dy qytetarëve të cilët e kanë pyetur atë nëse ka turp, duke e quajtur “hajdute” kur e kanë takuar në rrugë. Këto raportime kanë nxitur edhe më shumë reagime të të tjerëve online.

“Tani sulmet të cilat janë dretjuar ndaj meje kanë hyrë në një sferë të shkeljes dhe bërjes së veprave penale”, tha Pacolli në RTK.

“Cilat, për shembull?”, e pyeti gazetarja.

“Çdo sulm që më është bërë këto ditë”, u përgjigj ajo.

“Cili sulm që të është bërë sot është vepër penale?”, vazhdoi gazetarja.

“Unë i kam adresuar këto. Të gjitha do t’i çojë në gjykata. Unë i kam adresuar në polici”, tha deputetja.

Reagimet ndaj Pacollit, në LVV duan t’i paraqesin si seksiste

Fitore Pacolli zgjodhi ta përdorte viktimizimin gjinor si strategji mbrojtjeje në RTK.

Kur pyetjet e gazetarës u bënë të përsëritshme si ajo se “a është e vërtetë që këta kanë marrë grante dhe çfarë do të thoshit në një qeverisje të kaluar?”, depuetja e LVV-së tha se ajo do të duhej të ndjente për të “si grua”.

“Si grua, që je këtu, nuk të ka interesuar, as s’më pyete si ndjehem pas atij sulmi banal e të poshtër, e idiotesk, që m’u bë në publik”, tha Pacolli, duke iu referuar një akti proteste të një qytetari që e akuzonte deputeten për vjedhje.

“Pse po e trajtoni këtë rast si grua? Nuk iu sulmoi askush pse jeni grua”, i tha gazetarja.

“Kur ka dalë ai burri me ia drejtu gishtin, qe për shembull, dikujt tjetër që ka marrë? Pse s’ka dalë ai me ia drejtu gishtin një zyrtari të PDK-së, një zyrtari të LDK-së, burrave të fortë? Pse?”, tha Pacolli.

Si për ta shmangur thelbin e çështjes, Pacollit mbrëmë i doli në ndihmë bashkëpartiakja e saj, Albulena Haxhiu, e cila e përshkroi deputeten si “grua që lufton me guxim dhe ndershmëri”.

“Sulmet ndaj deputetes Fitore Pacolli nuk janë asgjë e re. Qysh prej dy vitesh, prej momentit që ajo ka guxuar të denoncojë interesa të ngushta dhe të padrejta, ajo është përballur me sulme të pandërprera. Edhe sot, përballë akuzave të pabaza dhe sulmeve brutale, ajo qëndron e fortë për diçka për të cilën nuk ka asnjë përgjegjësi, një fakt i thjeshtë që mund të provohet lehtësisht, dhe që e dinë mirë edhe ata që përhapin shpifje”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

“Ata që njohin deputeten Fitore Pacolli e dinë mirë përkushtim e saj. Ajo nuk është thjesht një politikane, është një grua që lufton çdo ditë me guxim dhe ndershmëri, për t’u bërë zëri i atyre që shpesh nuk dëgjohen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, shtoi Haxhiu, e cila bëri thirrje “për respekt, drejtësi dhe përgjegjësi”.

Sulmi ndaj gazetares

Fitore Pacolli, pasi u kthye në shtëpi e dëshpëruar, shkroi, mes tjerash, në një postim në Facebook se gazetarja e RTK-së “kishte misionin e porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet e saj ishin të dirigjuara”.

“Paskan thënë se kinse kam kaluar keq në intervistë dhe se paska qenë e sikletshme. Aspak”, shkroi Pacolli, duke pyetur më poshtë postimit se “kujt i nënshtrohet kjo gazetare?”.

Në një postim tjetër, ajo pyeti “ku janë organizatat që thonë se mbrojnë të drejtat e grave?”. Në televizionin publik, tha se “u justifikua dhuna ndaj grave në publik”.

“Kështu i jepet alibi “burrave” që sulmojnë. Kështu heshtet viktima dhe përkrahet dhunuesi”, tha ajo,

“Dhe pyetja është: Ku janë organizatat që thonë se mbrojnë të drejtat e grave? Ku janë organizatat që monitorojnë mediat dhe etikën gazetareske? Heshtja ndaj kësaj dhune sistematike e të vazhdueshme është bashkëpunim. Ndërsa mohimi i saj nga një gazetare që ka për detyrë të mbrojë të vërtetën është trishtim. Dhuna është dhunë. Dhe kjo nuk mund të heshtet më. As nuk më zbrapsni, as nuk më thyeni. Jam gru gur”, shkroi Pacolli.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i dënoi sulmet e Fitore Pacollit ndaj gazetares Blerta Foniqi Kabashi.

“Kjo formë e linçimit të gazetares nga një deputete e zgjedhur është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet. AGK-ja e fton deputeten Pacolli dhe të gjithë zyrtarët e tjerë që të përmbahen nga deklaratat e komentet nxitëse kundër gazetarëve, dhe në vend të kësaj të ofrojnë transparencë, duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e interesit publik”, thuhet në reagimin e AGK-së.