string(81) "stervitje-e-madhe-ushtarake-e-nato-s-ne-maqedonine-e-veriut-serbia-nuk-merr-pjese"

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 13:12

Stërvitje e madhe ushtarake e NATO-s në Maqedoninë e Veriut, Serbia nuk merr pjesë

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 13:12

Nga data 26 maj deri më 9 qershor, në poligonin ushtarak të Krivollakut në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohet stërvitja e madhe ushtarake “Përgjigje e Shpejtë 2025”, me pjesëmarrjen e mbi 2.000 ushtarëve nga nëntë vende: Maqedonia e Veriut, SHBA, Mali i Zi, Kosova, Austria, Greqia, Shqipëria, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kjo stërvitje është pjesë e operacionit shumëkombësh DEFENDER 2025, në të cilin janë angazhuar rreth 12.000 trupa ushtarake në disa vende të Evropës.

Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë me 950 ushtarë, SHBA me 710, Mali i Zi me 185, Kosova me 150, Austria me 70, Greqia me 50, Shqipëria dhe Italia me nga 30 ushtarë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të përfaqësohet me dy pjesëmarrës.

Të gjitha njësitë do të përdorin pajisjet e veta formacionale, ndër më të rëndësishmet janë: tanket Leopard, helikopterët sulmues AH-64 Apache, helikopterët mjekësorë transportues Black Hawk, mjetet inxhinierike Husky, mortajat 120 mm, helikopterët transportues Mi 8/17, si dhe automjetet e blinduara JLTV dhe HMMWV.

Gjatë stërvitjes do të përdoret municion standard për manovra, këmbësori dhe artileri.

Sipas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, kjo stërvitje synon të testojë aftësinë e NATO-s për të reaguar ndaj kërcënimeve të ndryshme të sigurisë, përfshirë sulmet kibernetike, duke shërbyer si platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit shumëkombësh dhe dëshmimin e gatishmërisë së vendeve pjesëmarrëse për të ndarë barrën në mjedise të ndërlikuara dhe sfiduese.

Kryeshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski, deklaroi se kjo është njëra nga stërvitjet më të mëdha ndonjëherë të mbajtura në vend, me pjesëmarrjen e afërsisht 2.200 ushtarëve nga shtatë vende të NATO-s dhe dy vende partnere.

“Qëllimi i stërvitjes, ndër të tjera, është përmirësimi i ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave aleate dhe partnere, si dhe aftësia për operacione të përbashkëta në kushte të ndërlikuara dhe reagim të shpejtë në Evropën Lindore”, theksoi gjeneral-major Lafçiski.

Stërvitja “Përgjigje e Shpejtë 2025” përkon me 32-vjetorin e Programit të Shteteve Partnere midis Gardës Kombëtare të Vermontit (SHBA) dhe Maqedonisë së Veriut, nën patronatin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së.

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, tha se kjo stërvitje është dëshmi e qartë e partneritetit të ngushtë dhe në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut.

“Përmes trajnimeve të përbashkëta, angazhimeve me komunitetin dhe bashkëpunimit me aleatët tanë në NATO, ne forcojmë përkushtimin tonë kolektiv për paqe dhe siguri. Këto stërvitje rrisin gatishmërinë ushtarake dhe afrojnë komunitetet tona”, u shpreh Ageler.

Në njoftim gjithashtu theksohet se SHBA dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të forcojnë partneritetin në fushën e mbrojtjes, arsimit, sipërmarrjes dhe shoqërisë civile, duke mbështetur zhvillimin institucional dhe kapacitetet e sigurisë të Maqedonisë së Veriut.

“Të dy vendet mbeten të përkushtuara për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e energjisë, mbrojtjes, tregtisë dhe shkëmbimeve kulturore, duke siguruar mirëqenie dhe siguri afatgjatë. ‘Përgjigje e Shpejtë 2025’ është shembull i garantimit të paqes përmes forcimit të gatishmërisë së NATO-s dhe mbrojtjes kolektive”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

Në pritje të stërvitjes, Orkestra Ushtarake e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe Orkestra e Gardës Kombëtare të Vermontit nga SHBA mbajtën koncerte të përbashkëta në qytetet Bitola dhe Shtip.

Më 1 qershor në qytetin e Kavadarcit do të mbahet një “ditë e hapur” për qytetarët me paraqitje të elementeve të operacionit ushtarak, si dhe ekspozitë të armëve, automjeteve, pajisjeve për ngjitje, robotëve për zbulimin e minave, pajisjeve taktike dhe dronëve. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Austria, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara.

Më 2 qershor në Krivollak do të mbahet një aktivitet shumëkombësh “live”, i dedikuar për median dhe mysafirë të nivelit të lartë, pas së cilës do të zhvillohet stërvitja “Batalioni i përforcuar i këmbësorisë në sulm”. /REL