Stephen King është një nga shkrimtarët më të njohur dhe më të lexuar në botë, veçanërisht në zhanrin e trillerit dhe horrorit psikologjik.
Ai ka lindur më 21 shtator 1947 në Portland të shtetit Maine në SHBA. Fëmijërinë e kaloi në kushte të vështira ekonomike, pasi babai i tij i la kur ishte i vogël dhe ai u rrit nga nëna e tij, një grua e fortë që luftoi për ta mbajtur familjen në këmbë. Ky realitet i hidhur ndikoi shumë në krijimtarinë e tij, pasi shumica e personazheve të King janë njerëz të thjeshtë që përballen me frikëra të mëdha.
Vepra e tij e parë e botuar ishte romani “Carrie”, i cili flet për një vajzë të ngacmuar nga shokët e klasës, e cila zbulon se ka fuqi të mbinatyrshme dhe hakmerret në mënyrë dramatike. Libri pati sukses të menjëhershëm dhe u kthye në film, duke e bërë King të famshëm brenda natës. Pas kësaj, ai botoi një sërë veprash që sot konsiderohen klasike, si “The Shining” (Shajningi), “It” (Ajo), “Misery” (Mizeri), “Pet Sematary” (Varreza e kafshëve) dhe “The Green Mile” (Kilometri i gjelbër).
Shumë nga këto romane u adaptuan në filma dhe seriale, duke i dhënë King famë edhe në Hollivud. Stili i Stiven King është i drejtpërdrejtë, i thjeshtë për t’u lexuar, por tejet goditës. Ai nuk përdor frikën vetëm për t’i trembur lexuesit, por për t’i bërë të mendojnë. Frika për të nuk është thjesht një përbindësh apo fantazmë; frika është vetmia, bullizmi, varësia nga alkooli, humbja e familjes – gjëra që i prekin të gjithë. Ai e ndërthur realitetin me të mbinatyrshmen aq bukur sa lexuesi shpesh nuk vëren ku mbaron jeta e zakonshme dhe ku fillon horrorri.
Një element tjetër karakteristik është fakti që shumica e ngjarjeve të tij zhvillohen në qytete të shpikura të shtetit Maine, si Derry dhe Castle Rock, të cilat tani janë bërë pjesë e kulturës pop moderne. King ka shkruar mbi 60 romane dhe mbi 200 tregime të shkurtra. Edhe pse njihet kryesisht si “mbreti i horrorit”, ai ka krijuar edhe histori të ndjeshme dhe frymëzuese si “The Shawshank Redemption” (Shëlbimi i Shoushenkut) dhe “Stand by Me” (Qëndro pranë meje), që flasin për miqësinë dhe shpresën. Në jetën personale, Stiven King është i martuar me shkrimtaren Tabitha King dhe jeton ende në Maine. Ai është i njohur për punën e palodhur: shkruan çdo ditë, edhe kur është i sëmurë apo me humor të keq. Ka fituar shumë çmime letrare dhe është kthyer në ikonë të kulturës amerikane. Për shumë lexues në botë, emri i tij është sinonim i frikës por edhe i kënaqësisë së leximit./Konica.al