Status quo dhe bllokadë - Gazeta Express
string(23) "status-quo-dhe-bllokade"

Status quo dhe bllokadë

OP/ED

Gazeta Express

29/06/2021 14:28

Kështu, ne, duhet të mësohemi për të mbijetuar në një situatë gjeopolitike, në të cilën Rusia do kaos, Bashkimi Evropian nuk ka fuqi për të imponuar zgjidhje, ndërsa Amerika ndodhet tepër e zënë në betejën e shekullit me kapitalizmin shtetëror të Kinës që po pushton botën.

Shkruan: Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Gjendja aktuale në dialogun Kosovë – Serbi i ngjan asaj vijës së frontit ku dy palët ndërluftuese janë barrikaduar në transhetë e tyre, pa mundësi të bëjnë më tutje, qoftë mësymje, qoftë tërheqje. Në Beograd askush nuk guxon ta mendojë pranimin e pavarësisë së Kosovës, sepse askush nuk do të mund t’i përballonte akuzës për tradhti kombëtare dhe fundit të sigurtë politik. Njëjtë është edhe në Prishtinë: askush nuk guxon ta mendojë pranimin e një autonomie për serbët e Kosovës, sepse etiketën e tradhtarit dhe fundin politik do t’i ketë të gatshme menjëherë.

Të dy këto pozicione ndodhen të formalizuara në kushtetutat përkatëse të dy vendeve: Kosova figuron si pjesë e Serbisë në kushtetutën e kësaj të fundit, ndërsa Kushtetuta e Kosovës nuk lejon nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.

Strategjia e Bashkimit Evropian për t’i nxjerrë palët nga transhetë e tyre është krejtësisht e kotë, sepse ajo bazohet në politikën e padobishme të ndërmjetësimit pa imponim dhe në premtimin e vjetër për integrimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian, në kohën kur procesi i zgjerimit të tij praktikisht është i vdekur. Largimi i britanikëve i ka hapur një plagë të madhe projektit të Bashkimit Evropian dhe mbase do të duhen dekada përpjekje për ta shëruar këtë plagë. Procesi i brendshëm i fuqizimit të strukturave mbikombëtare të Bashkimit Evropian po ashtu ka shënuar hapa prapa. Sot Bashkimi Evropian më shumë i ngjan një klubi të shteteve egoiste të cilat e përdorin votën e tyre në Bruksel për interesat e ngushta nacionale. Kosova dhe të gjitha vendet tjera të Ballkanit perëndimor janë viktima të drejtpërdrejta të këtyre dy zhvillimeve.

Në këtë kontekst, që premtimi i kahershëm i Bashkimit Evropian për t’i integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në strukturat e tij, të mos shndërrohet krejtësisht në një utopi të pabesueshme, të cilën askush nuk e merr seriozisht,  Bashkimi Evropian ka shpikur një ëndërr të re për ballkanasit e dëshpëruar nga tranzicioni permanent postkomunist : procesin e Berlinit. Kësaj i duhet shtuar edhe komedia politike e quajtur “Mini-shengen ballkanik”, në “takimet punuese” të të cilit Vuçiqi, derisa i buzëqesh Ramës merr në telefon informatat e fundit nga fushata diplomatike e qeverisë së tij kundër shtetit të Kosovës. Pjesë e kësaj komedie është edhe kryeministri Zoran Zaev, shteti i të cilit pasi shpëtoi nga kthetrat e bllokadës greke, tani ka rënë në kthetrat e bllokadës bullgare. Së fundi Shqipëria e pa veten viktimë kolaterale të kësaj bllokade, pasi që iu refuzua hapja e negociatave të integrimit me Bashkimin Evropian, sepse disa shtete të tij votuan kundër që procesi negociator i Shqipërisë të ndahej nga ai i Maqedonisë së Veriut.

Në anën tjetër, edhe administrata e presidentit Biden nuk duket se është duke harxhuar shumë mund për ta zgjidhur për së shpejti dhe përfundimisht problemin Kosovë- Serbi. Kështu që të gjithë treguesit flasin për vazhdimin e status quosë, në të cilën, sipas asaj shprehjes së famshme, gjërat lëvizin, por asgjë nuk ndryshon. Politikanët e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë të shkojnë në Bruksel, mediat do të vazhdojnë t’i përcjellin dhe komentojnë takimet e tyre, por në fund të ditës a vitit asgjë nuk do të ndryshoj. Natyrisht, Serbia ka mundësitë që t’i përballojë shumë ma mirë se ne rraskapitjet e dialogut të pafrytshëm, ndërsa ne, sipas të gjitha gjasave, këto rraskapitje do t’i përdorim për t’i qëruar hesapet me njëri- tjetrin në luftën e brendshme për pushtet dhe kështu për ta dobësuar edhe më shumë shtetin tone të papërfunduar. Rusia, e cila ka vite që ndjek strategjinë e saj të madhe për t’i diskredituar dhe destabilizuar demokracitë perëndimore, do të vazhdojë t’i fryjë zjarrit të kaosit në Ballkan, kaos i cili sigurisht që do të kapitalizohet nga të gjithë ata që duan pushtet, pasuri dhe ndikim jashtë rregullave demokratike të sundimit të ligjit. Autoritaristët dhe banditët politikë të të gjitha ngjyrave në Ballkan janë aleatët e heshtur të Rusisë në këtë qëllim. Kështu, ne, duhet të mësohemi për të mbijetuar në një situatë gjeopolitike, në të cilën Rusia do kaos, Bashkimi Evropian nuk ka fuqi për të imponuar zgjidhje, ndërsa Amerika ndodhet tepër e zënë në betejën e shekullit me kapitalizmin shtetëror të Kinës që po pushton botën.

A jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe rreziqet e saj për ekzistencën tonë të brishtë? Kam frikë se jo. Me politikanë të vegjël nuk mund të ndriçohen rrugët e vështira në natën e errët të historisë.