Statistika shqetësuese e Barcelonës kundër Ibizas: 718 pasime, tri goditje drejt portës - Gazeta Express

Statistika shqetësuese e Barcelonës kundër Ibizas: 718 pasime, tri goditje drejt portës

Sport

Gazeta Express

23/01/2020 12:30

Barcelona i bëri gjithsej 718 pasime, duke e dominuar kështu lojën në përballjen e Kupës së Mbretit me Ibizën të mërkurën. Megjithatë, përkundër që e pati 78 për qind të posedimit të topit, skuadra e Quique Setienit i bëri vetëm tri goditje drejt portës në të gjithë ndeshjen.

Udhëtimi i Barcelonës në Ibiza rezultoi të mos jetë aspak i lehtë, pasi që klubi i nivelit të tretë të futbollit në Spanjë ishte afër t’ia shkaktojë katalonasve një zhgënjim të madh në përballjen e së mërkurës në Kupën e Mbretit, transmeton Gazeta Express.

Josep Caballe e kaloi Ibizan në epërsi pas vetëm nëntë minutave, epërsi kjo të cilën vendasit e mbajtën në të gjithë pjesën e parë, pasi që Barcelona u duk e paaftë ta konkretizojë posedimin e topit në gola.

Deri në minutën  e 72-të të ndeshjes, Barcelona kishte qenë në deficit për një gol. Mirëpo, Antoine Griezmann e barazoi rezultatin në minutën e 72-të dhe pastaj e shënoi edhe golin e fitores në minutën 90’+4.

Këto dy gola të Griezmannit ishim në mesin e vetëm tre goditjeve të Barcelonës brenda kuadratit të portës kundërshtare.

Kjo statistikë i ka shqetësuar shumë tifozë të Barcelonës pasi që, vetëm para tre ditëve, klubi katalonas i kishte kompletuar 1005 pasime kundër Granadas, ndërsa ndeshja kishte përfunduar me epërsi minimale 1:0, falë golit të Lionel Messit.

Përkundër që skuadra e tij shënoi fitore në fund mbrëmë, trajneri i ri i Barcelonës s’ishte aspak i impresionuar nga ajo që e pa nga skuadra e tij.

“Nuk më pëlqeu skuadra. Do të kisha preferuar që gjërat të kishin qenë në një mënyrë tjetër”, tha Setien për gazetarët, pas ndeshjes.

“Por, në stadiumet si ky… e kemi më të vështirë ta bëjmë punën tonë. Ata ishin agresiv dhe intensiv në repartin e mbrojtjes. Kjo nuk ka qenë e lehtë për ne”.

“Do të më kishte pëlqyer të jemi më preciz dhe të kishim luajtur më mirë. Por, ne do t’i marrim nga këto disa përfundime apo mësime për të ardhmen”.

“Ti mund të përmirësohesh vetëm kur bën diçka gabim”. /Gazeta Express/