Stadiumi më i madh i futbollit në botë është pothuajse i përfunduar dhe duket spektakolar.
“Trong Dong Stadium” në Hanoi, Vietnam, po ndërtohet si pjesë e një mega-projekti të quajtur “Olympic Sports City”.
Investimi ka kushtuar plot 28 miliardë paund dhe plani është që stadiumi të ketë një çati të lëvizshme.
Ai është projektuar për të pritur 135,000 spektatorë dhe pritet të përfundojë në gusht të vitit 2028, ndërsa i gjithë projekti është planifikuar të mbyllet deri në vitin 2035.
Projekti përfshin gjithashtu një sistem transporti dhe objekte shtesë sportive.
“Wembley Stadium” në Londër, “Beijing National Stadium” (i njohur si “Foleja e Zogut”) dhe “Lusail Stadium” në Katar janë përmendur si shembuj të stadiumeve madhore që kanë rritur prestigjin kombëtar, sipas organizatorëve.
Frymëzimi ka ardhur nga daullja prej bronzi Dong Son, të ndërtuara nga bronzi dhe që trashëgojnë një pjesë të qytetërimit të lashtë vietnamez, duke përfaqësuar shpirtin e komunitetit, forcën dhe jetëgjatësinë.
Zyrtarët, të cilët kanë prioritizuar materiale miqësore me mjedisin dhe zgjidhje për kursimin e energjisë, kanë deklaruar se kjo arenë moderne do të presë ngjarje sportive në shkallë të gjerë, si dhe aktivitete kulturore dhe socio-politike, duke rritur pozicionin e Vietnamit në arenën ndërkombëtare.
“Trong Dong Stadium” do t’i ofrojë gjithashtu vendit një bazë për të organizuar ngjarje të mëdha sportive, përfshirë Kupën e Botës dhe Lojërat Olimpike.
Në faqen zyrtare të stadiumit thuhet:
“Në Vietnam, nevoja për objekte sportive të integruara, në shkallë të gjerë dhe të standardizuara sipas kritereve ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më urgjente, sidomos teksa vendi synon të marrë pjesë më thellë në ngjarje sportive rajonale dhe globale.
Hanoi – kryeqyteti i vendit – si qendra politike, kulturore dhe diplomatike, ka përgjegjësinë të udhëheqë në krijimin e institucioneve sportive të nivelit kombëtar që përmbushin kërkesat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, ‘Trong Dong Stadium’ po zhvillohet me të njëjtin vizion strategjik, duke u fokusuar jo vetëm në funksionin e tij sportiv, por edhe në shndërrimin në një ikonë arkitekturore dhe kulturore që përfaqëson Vietnamin në epokën e re.
Ndërtimi i një stadiumi me përmasa dhe cilësi të krahasueshme me monumentet ikonike globale shihet si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin për përmirësimin e kapacitetit të infrastrukturës kombëtare dhe të pozicionit të Vietnamit në hartën botërore të sportit”./GazetaExpress/