Një pilot i Forcave Ajrore Kroate (HV) dhe partnerja e tij, shtetase e Serbisë që jeton dhe punon në Kosovë, janë vënë nën hetim për spiunazh, pas një afere që ka tronditur opinionin publik.
Piloti, i identifikuar si JI, ka deklaruar pas publikimit të akuzave se është i pafajshëm dhe se “dikush po e kurthen”. Ai theksoi se partnerja e tij AM është vetëm “viktimë anësore” në këtë rast.
Sipas mediumit kroat Index.hr, piloti është përshkruar si profesionist i përgjegjshëm, ndërsa akuza e prokurorisë është cilësuar e habitshme.
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se JI ka kaluar kontrollet e sigurisë, por megjithatë prokuroria ka vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për nisjen e hetimeve dhe ka kërkuar paraburgim për të dyshuarit.
Sipas hetimit, nga viti 2022 deri më 2025, piloti dyshohet se ka ndarë me partneren e tij informacione konfidenciale që lidhen me lëvizjen e serbëve në veri të Kosovës, trupat e KFOR-it dhe situatën e tensionuar në Zubin Potok. Thuhet se këto të dhëna i kishte siguruar gjatë misionit të tij në Kosovë.
Partnerja e tij AM, e cila shpesh udhëtonte në Kroaci dhe qëndronte në Vis, akuzohet se ka pasur kontakte me gazetarë dhe me një qeveri të huaj. Burime të afërta theksuan se ajo nuk ka pasur lidhje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe se është e çuditshme që lidhet me dhënien e informacioneve një partie politike që, sipas tyre, nuk ekziston më – Listës Serbe.
Hetimi përfshin edhe shkëmbimin e informacioneve mbi transportin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantić, arrestimi i të cilit në dhjetor 2022 shkaktoi protesta dhe barrikada në veri të Kosovës.
Çifti u arrestua në Vis. Fillimisht, AM përfundoi në qendrën e pritjes për të huaj në Trilje me vendim për dëbim nga Kroacia, por më vonë u përfshi në hetimin për spiunazh.
Skandali ka ngjallur shqetësim në qarqet politike kroate. Kryetari i Komitetit Parlamentar për Mbrojtjen, Arsen Bauk, e quajti rastin “një problem serioz sigurie”.
Deputetja Sandra Bençiq (Mozemo) tha se në këtë fazë të gjithë aktorët politikë kanë një qëllim të përbashkët – sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.
Ndërkohë, Igor Peternel (DOMiNO) paralajmëroi se rasti tregon gjendjen e brishtë të forcave të armatosura dhe nevojën për kontrolle më rigoroze.
Edhe Mishel Jakshiq (SDP) ngriti pyetje mbi dështimet e mundshme në proceset e sigurisë, ndërsa Dario Hrebak (HSLS) theksoi se rasti është një lëshim serioz sigurie, duke kërkuar reagim të shpejtë të autoriteteve.
Sipas raportimeve, piloti në të kaluarën kishte kaluar filtrat e sigurisë në autoritetet kroate.
RTL ka shkruar se Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, ajo e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit kanë qenë në dijeni për rastin tash e një kohë.
Gruaja serbe nga Mitrovica e Veriut ishte prezantuar si punonjëse e një organizate gjermane. Ajo dyshohet se kishte marrë informata nga ushtari kroat lidhur me lëvizjet e KFOR-it dhe se ato i ka përcjellë në Serbi.
Të dy u arrestuan në fund të korrikut. Të mërkurën u raportua se të dy janë marrë në pyetje nga Prokuroria. Akuzohen për katër vepra penale.
Mediumi kroat “index.hr” ka shkruar se ushtari ka mohuar fajin dhe ka thënë se dikush po përpiqet ta kurthojë. Siç ka thënë ai para autoriteteve, “edhe e dahsura e tij ka qenë viktimë”.
Siç ka shkruar ky medium, gruaja nga Kosova kishte udhëtuar shpesh drejt Kroacisë.
Ndërkaq “vecernji.hr” ka shkruar se serbja ka pasur lidhje edhe me organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë ato të sigurisë.
Konkretisht, sociologia A.M., partnerja e pilotit kroat, ishte e lidhur me organizatat ndërkombëtare në Kosovë, si EULEX dhe UNMIK.
A.M., punoi gjithashtu për Misionin e Bashkimit Evropian për Vendosjen e Sundimit të Ligjit në Kosovë, detyra e të cilit është të ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe policinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit (EULEX) dhe Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNIMIK).
Dyshohet se ajo kishte lidhje të ngushta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët, sipas burimeve, dyshohet se i kishte shantazhuar.
AM, shtojnë burimet, shoqëroi drejtorin e organizatës joqeveritare Aktiv Miodrag Miliçeviq dhe ish-anëtarin e ekipit menaxhues përgjegjës për krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, Igor Kallamar, në disa udhëtime.