Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë aktualisht nuk ka asnjë mjek specialist të anesteziologjisë të punësuar, pasi gjatë gjashtë muajve të fundit katër anesteziologë kanë dalë në pension.
Mungesa e këtij kuadri jashtëzakonisht të rëndësishëm po mbulohet përmes angazhimit me kontrata pune të anesteziologëve nga institucionet shëndetësore të Shkupit: Klinika për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv (KARIL), Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” dhe Klinika për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum Ohri”, si dhe me një mjek të pensionuar.
Drejtori i spitalit, Sasho Stoshevski, thekson se ky është problemi më i madh me të cilin përballet institucioni, por se falë angazhimit të mjekëve nga jashtë po arrijnë ta mbulojnë funksionimin. Sipas tij, për 20 ditë pune në muaj sigurohet mbulim 24-orësh me nga një anesteziolog, ndërsa për 10 ditë mbulimi është 16-orësh. Mjekët nga Shkupi punojnë nga ora 14:00 deri në 07:00 të mëngjesit, ndërsa mjeku i pensionuar nga ora 07:00 deri në 14:00. Nevoja më e madhe është në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, veçanërisht gjatë lindjeve me prerje cezariane, e më pas edhe për ndërhyrjet kirurgjikale. Në rastet kur është i domosdoshëm transporti i pacientëve drejt Shkupit, nuk ka shoqërim nga anesteziologu, por nga mjeku, infermierja dhe tekniku i anesteziologjisë.
Stoshevski shton se të katër anesteziologëve që dolën në pension u është ofruar të vazhdojnë punën, por vetëm njëri prej tyre e ka pranuar ofertën. Aktualisht, në spital janë pesë mjekë në specializim për anesteziologji: njëra specializim pritet të përfundojë deri në qershor të këtij viti, tjetra në tetor të vitit të ardhshëm, ndërsa tre të tjerat në vitin 2030.
Drejtori, i cili e ushtron funksionin që nga maji i vitit 2025, thekson se mungesa e anesteziologëve është problem pothuajse në të gjitha spitalet jashtë Shkupit dhe se kjo situatë është trashëguar, pasi specializimet duhej të planifikoheshin shtatë deri në tetë vite më parë. Sipas tij, zgjidhja qëndron në ndryshimin e rregullativës ligjore. Ai vlerëson se spitalet nuk mund ta zgjidhin vetë këtë problem dhe se vetëm Ministria e Shëndetësisë mund të ndërhyjë, përmes ndryshimit të ligjit që do t’u mundësonte mjekëve, edhe pa pëlqimin e tyre, të angazhohen për punë në qytete të tjera, siç ka qenë praktika deri rreth vitit 2020. Në të kundërtën, thotë ai, nuk ka zgjidhje.
Stoshevski nënvizon se deri më tani nuk janë përballur me situata pa dalje që do të rrezikonin jetën e pacientëve, por qytetarët reagojnë sepse spitali nuk arrin t’u përgjigjet të gjitha nevojave të tyre shëndetësore. Spitali i Kumanovës është institucion rajonal dhe u shërben rreth 200 mijë pacientëve nga rajoni verilindor.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në nëntor paralajmëroi se po punohet për një reformë të madhe lidhur me specializimet dhe profilet e reja. Ai deklaroi se specializimet nuk do të krijohen më sipas praktikave të 15 viteve të fundit dhe se janë të nevojshme specializime të përgjithshme që aktualisht mungojnë. Sipas Aliut, brenda një muaji apo një muaji e gjysmë, të gjitha vendet e lira për specializime do të bazohen në një tabelë të qartë nevojash, e jo në kërkesa personale apo telefonata të tipit “dua që fëmija im të bëhet ky apo ai mjek”. Paralelisht, po punohet edhe me mjekët dhe infermierët që ndodhen jashtë vendit për t’i rikthyer ata në Maqedoni, ku tashmë tre prej tyre janë kthyer.
tag_katrorimaqedoni_2
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...