Tapeti i kuq i Festivalit të Filmit në Kanë është i njohur për paraqitjet ekstravagante dhe fustanet mahnitëse, por mbrëmjen e së shtunës vëmendjen e mori një personazh krejtësisht i pazakontë një burrë i veshur si zog i vërtetë.
Para premierës së filmit “Die, My Love” nga regjisorja Lynne Ramsay, me aktorët Robert Pattinson dhe Jennifer Lawrence në rolet kryesore, një pjesëmarrës befasoi të pranishmit duke u paraqitur me një kostum të plotë kondori i pajisur me sqep, pupla dhe një qëndrim tërësisht “shpendor”.
Ndonëse në shikim të parë dukej si një diçka e çuditshme, kostumi kishte një kuptim të veçantë. Ai ishte një referencë ndaj dokumentarit “I Love Peru”, që po shfaqet në seksionin “Klasikët e Kanës”.
Kondori, një shpend simbolik në kulturën peruane, konsiderohet si ndërmjetësi mes qiellit dhe tokës.
Sipas burimeve, burri në fjalë u largua nga tapeti i kuq duke lëshuar ulërima që imitonin kondorin duke shtuar edhe më shumë dramë në këtë paraqitje të pazakontë.
Organizatorët e festivalit së fundmi kanë ndaluar paraqitjet nudo dhe fustanet “tepër voluminoze” në tapetin e kuq, por, deri më tani, nuk ka asnjë ndalim zyrtar për kondorët.