Specialja pranoi dokumente të MUP’it serb si prova, Haxhiu: E papranueshme, e zhvesh Gjykatën nga legjitimiteti kushtetues - Gazeta Express
string(118) "specialja-pranoi-dokumente-te-mupit-serb-si-prova-haxhiu-e-papranueshme-e-zhvesh-gjykaten-nga-legjitimiteti-kushtetues"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 12:25

Specialja pranoi dokumente të MUP’it serb si prova, Haxhiu: E papranueshme, e zhvesh Gjykatën nga legjitimiteti kushtetues

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 12:25

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, ka reaguar pasi që Specialja ka pranuar si prova disa dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Haxhiu ka thënë se këtë gjë e kanë marrë me shqetësim dhe se ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm, shkruan Gazeta Express.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, ka thënë edhe se këto institucione serbe janë të një regjimi i cili qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.

‘‘Me shqetësim kemi marrë lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”. Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri’’, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka kritikuar gjykatën për një deklaratë të kësaj të fundit duke e cilësuar të njëjtën si ‘’juridikisht i gabuar dhe i padrejtë’’.

‘‘Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë’’, ka shkruar ajo.

Ajo ka përmendur një nga kriteret për vlerësimin e pranueshmërisë së provave, i cili është se ‘’nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit’’ në fjalë.

‘‘Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë.  Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit’’, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka vlerësuar se pranimi i këtyre dokumenteve është i papranueshëm dhe i gabuar, dhe se, nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një ‘’aparat shtetëror kriminal’.

‘‘Përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm. Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin’’, ka vijuar ajo.

Në fund, ministrja në detyrë e Drejtësisë, pranimi i dokumente të prodhuara nga regjimi i Millosheviqit i cili është gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e zhvesh Specialen nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës.

‘‘Slobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme’’, ka përfunduar ajo. /GazetaExpress