Specialja ia vazhdon paraburgimin Salih Mustafës - Gazeta Express

Specialja ia vazhdon paraburgimin Salih Mustafës

Lajme

Gazeta Express

25/11/2021 17:30

Përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, ka bërë të ditur se të martën, trupi gjykues ia ka vazhduar paraburgimin Salih Mustafës.

Sipas saj, gjykatësit konstatuan se ekziston ende rreziku që i akuzuari të pengojë ecurinë e procesit të DHSK-së me anë të ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët.

Lexo Edhe:

“Ligji parasheh që gjykatësit të rivlerësojnë çdo dy muaj nëse ekzistojnë ende arsyet për mbajtjen në paraburgim të të akuzuarit. Këto arsye mund të jenë rreziku i arratisjes, rreziku i pengimit të procesit penal ose rreziku i kryerjes së të njëjtës vepër penale ose një vepre tjetër penale”, ka thënë ajo.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Lidhur me rastin ndaj Salih Mustafës, ajo ka thënë se ditën e hënë, të martë dhe të mërkurë të kësaj jave dhanë dëshmitë dëshmitari i tetë dhe dëshmitari i nëntë, të cilët dëshmuan me masa mbrojtëse, ku përfshihet përdorimi i pseudonimit si dhe ndryshimi i fytyrës dhe zërit.

Tutje, tha se që të dyve iu drejtuan pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtja, mbrojtësja e viktimave dhe gjykatësit.

Gjithashtu, ka thënë se ditën e martë, me kërkesë të gjykatësve, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi renditjen e re të dhënies së dëshmive prej dëshmitarëve për muajt janar dhe shkurt dhe vendosi të mos thërrasë një prej dëshmitarëve që kishte parashikuar fillimisht.

Kjo pasi dëshmitarët e mëparshëm kanë dhënë tashmë të njëjtën dëshmi dhe tha se seanca e ardhshme për këtë çështje do të mbahet më 13 dhjetor 2021, në orën 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, sa i përket çështjes gjyqësore kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, tha se trupi gjykues II bëri me dije se brenda 26 nëntorit synon të nxjerrë vendim lidhur me kërkesat e ekipeve të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, në “Urdhrin për Planin e Punës dhe Caktimin e Afateve për Hapat e Ardhshëm të Procesit” të datës 9 nëntor 2021.

“Në rast se gjykatësit refuzojnë kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarve, atëherë më 2 dhe 3 dhjetor do të mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen”, ka thënë Griep.

Krejt në fund, ajo ka thënë se ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës këtë javë u takua me grupe të ndryshme nga publiku i gjerë, të rinjtë dhe shoqëria civile në Llapllasellë, në zonën e Prishtinës dhe Gjilanit.

“Gjatë këtyre aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese, ekipi dha informacion për mandatin dhe zhvillimet e fundit të proceseve të Gjykatës dhe iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga pjesëmarrësit”, ka thënë Griep.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.