Spanjë: Turizmi nën presion për shkak të thatësirës së madhe - Gazeta Express
string(59) "spanje-turizmi-nen-presion-per-shkak-te-thatesires-se-madhe"

Lajme

Gazeta Express

18/05/2024 12:32

Spanjë: Turizmi nën presion për shkak të thatësirës së madhe

Lajme

Gazeta Express

18/05/2024 12:32

Sektori i turizmit në Spanjë po kritikohet gjithnjë e më shumë për shkak të konsumit të lartë të ujit. Por politika i eviton masat e rrepta të kursimit.

Në hartën e shërbimit meteorologjik spanjoll Aeme, Katalonja rrëzëllon me ngjyrë të kuqe alarmi, që tregon rreshjet e tre viteve të fundit. Që kur ka nisur matja e të dhënave meteorologjike, ky rajon në verilindje të vendit nuk ka përjetuar më parë një periudhë kaq të thatë. Këtë situatë nuk e ndryshojnë dot as rreshjet e fundit. E prekur nga thatësira është edhe Andaluzia në jug të Spanjës, por edhe Balearet dhe ishtujt Kanarie vuajnë nga mungesa e ujit. Kjo do të thotë, se janë prekur pikërisht rajonet e vendit, ku lulëzon turizmi. Nuk është për t`u çuditur, që kritikat ndaj degës së turizmit po shtohen gjithnjë e më shumë, sepse turistët konsumojnë shumë ujë.

Lexo Edhe:

„Prandaj ky sektor duhet detyruar, që të marrë masa drastike kursimi”, mendon Dante Maschio, zëdhënës i shoqatës qytetare katalanase Aigua és Vida, e cila lufton prej vitesh për menaxhimin më të mirë të ujit në Katalonjë. “Masat e deritanishme për reduktimin e konsumit në turizëm kanë qenë shumë të rezervuara”, thotë ai. “Sektorit të turizmit i janë dhënë liri të mëdha.” Në rast emergjence – dhe kjo situatë është e tillë – sektorët me konsum intensiv uji do të duhej të detyroheshin ta ndalonin aktivitetin. “Në nuk kemi vetëm mungesë reshjesh”, thotë Maschio. “Ne kemi një problem strukturor.” Burimet e ujit janë shfrytëzuar pa mëshirë për shumë vite.

Pushuesit përdorin shumë ujë

Edhe Julio Barea, gjeolog dhe ekspert i burimeve ujore pranë organizatës Greenpeace, nuk i kursen kritikat: “Nëse popullata normale ka kufizime për konsumin e ujit, kjo duhet të vlejë aq më tepër për turistët”, thotë ai. Dhjetë herë më i lartë se mesatarja është për shembull konsumi ditor për frymë tek pushuesit në resorte me fusha golfi. Megjithatë qeveria rajonale e Andaluzisë i përjashtoi hotelet nga ndalimi i mbushjes së pishinave. “Kjo është një çmenduri e vërtetë”, thotë Barea.

Edhe në Katalonjë kohët e fundit ka qenë e ndaluar të mbushen pishinat në zonat shumë të prekura nga thatësira. Ndër të tjera në Lloret de Mar, në një nga qendrat e turizmit në Costa Brava në verilindje të Barcelonës. Për hotelierët e atjeshëm kjo ishte baraz me një katastrofë. “Pushuesit duan të relaksohen në pishinë”, thotë Enric Dotras, kryetar i shoqatës lokale të hotelierëve. Me qëllim që turistët këtë verë të mos rrinin në të thatë apo të mos vinin fare, sipërmarrësit krijuan me ngut një impiant për shkripëzimin e ujit të detit me 1,5 miliardë euro, për të anashkaluar ndalimin.

Hotelet heqin vaskat

Dotras e konsideron të tepruar kritikën ndaj sektorit të turizmit dhe vë theksin te përpjekjet e shumëanshme të sektorit për të kursyer ujin, që bëhet prej vitesh. Shumë hotele kanë hequr për shembull vaskat, sepse dushi konsumon më pak ujë. Në shumë raste ka stimuj për pushuesit, që të heqin dorë nga ndërrimi i përditshëm i peshqirëve dhe çarçafëve. Disa hotele kanë ndërtuar një rrjet shtesë për qarkullimin e ujit, me qëllim që tualetet të shpëlahen me ujë të përdorur. Turizmi në Lloret de Mar siguron 90 përqind të prodhimit ekonomik lokal. Ky sektor krijon 12.000 vende pune.

Pamje e digës Panta de Sau në Spanjë, që prej thatësirës ka vetëm katër përqind të kapacitetit të ujitPamje e digës Panta de Sau në Spanjë, që prej thatësirës ka vetëm katër përqind të kapacitetit të ujit
Diga Panta de Sau ka vetëm katër përqind të kapacitetit të ujit në periudhën e thatësirës më të madhe nëhistorinë e KatalonjësFotografi: Carlos Sanchez Pereyra/imageBROKER/picture alliance
Rëndësia e madhe, që ka turizmi në Spanjë, është ndoshta arsyeja pse politikanët e kanë të vështirë të vendosin masa të mëtejshme shtrënguese në këtë sektor. Dymbëdhjetë për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Spanjës gjenerohet nga turizmi. Më shumë se 85 milionë pushues të huaj erdhën në Spanjë në vitin 2023. Aq shumë sa kurrë më parë. Kjo e vendos Spanjën në vendin e dytë ndër destinacionet më të njohura të udhëtimit në botë pas Francës. Vetëm Katalonja regjistroi më shumë se 18 milionë vizitorë, duke u vënë kështu në vendin e parë midis rajoneve spanjolle, përpara ishujve Baleare, ishujve Kanarie dhe Andaluzisë.

Një ndër katër litra nga uji i pijshëm rrjedh në tokë

Arsyeja kryesore për gjendjen e mjeruar aktuale është përdorimi i keq i burimeve hidrike, shpjegon Cels Garcia, profesor i gjeografisë në Universitetin e Baleareve në Mallorca. “Në zonën e Mesdheut, periudhat e thata dhe të lagështa kanë zëvendësuar gjithmonë njëra-tjetrën. Thatësirat janë këtu fenomene krejtësisht natyrore.” Prandaj duhet bërë planifikimi që më parë. Duhet që impiantet e shkripëzimit të përdoren edhe në periudha me shi të dendur, në mënyrë që rezervat e ujërave nëntokësore të mund të rikuperohen. Por në fakt zakonisht ndodh e kundërta: Sapo bie sërish shi, sistemet mbyllen, sepse uji i prodhuar në këtë mënyrë është shumë më i shtrenjtë se ujërat nëntokësore. Përveç kësaj në Katalonjë për shembull kohët e fundit është investuar shumë pak në infrastrukturë, si në rinovimin e sistemit të kanalizimit. Një ndër katër litra të ujit të pijshëm depërton në tokë i papërdorur për shkak të gypave të amortizuar. Në ishujt Baleare dhe në Andaluzi situata është e ngjashme.

Në Katalonjë pritet që më shumë se një duzinë impiante të reja shkripëzimi të ndihmojnë për të lehtësuar situatën. Qeveria rajonale po planifikon një të tillë edhe në mes të portit të Barcelonës. “Kjo është një zgjidhje e thjeshtë”, thotë Cels Garcia. “Megjithatë këto sisteme nuk duhet të përdoren kurrsesi për të mundësuar rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve.” Por pikërisht kjo po ndodh në Spanjë: në tre muajt e parë të vitit në vend erdhën më shumë se 16 milionë pushues të huaj – një plus prej më shumë se 17 për qind krahasuar me një vit më parë./DW