Spanja me masa kufizuese për festat e fundvitit - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

02/12/2020 20:30

Spanja me masa kufizuese për festat e fundvitit

Lajme

Gazeta Express

02/12/2020 20:30

Qeveria e Spanjës është pajtuar me autoritetet rajonale të mërkurën që do të lejohen maksimalisht të mblidhen dhjetë persona nga një familje për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, për të evituar përhapjen e koronavirusit, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, raporton Reuters.

Marrëveshja, që vlen për festimet e natës së Krishtlindjes, ditën e Krishtlindjes, natën e Vitit të Ri dhe ditën e Vitit të Ri, nënkupton zbutje e masave në përgjithësi, që lejon tubimin e gjashtë personave, me përjashtim në disa rajone që kanë kufizimet e veta.

Ora policore në shumicën e rajoneve në Spanjë do të lëvizet në ora 01:30 në vend të 23:00, duke filluar nga 24 dhjetori deri më 31 dhjetor.

Prapë, lëvizja e njerëzve mes rajoneve do të ndalohet, me disa përjashtime, mes 23 dhjetorit dhe 6 janarit, ka thënë Illa, duke shtuar se shifrat e fundit të infeksionit japin arsye për optimizëm.

“Për ta përmbledhur, këto Krishtlindje do të qëndrojmë në shtëpi. Është e dëshirueshme që njerëzit të kufizojnë lëvizjet dhe kontaktet sa më tepër të jetë e mundur”, ka thënë Illa.

Qeveritë nëpër Evropë po mundohen të manovrojnë mes evitimit të përhapjes së virusit dhe festave të fundvitit, duke lejuar njerëzit të festojnë me familje dhe shoqëri.

Në kufizimin në Spanjë prej dhjetë personave në një familje, përfshihen fëmijët. Rekomandimi zyrtar është që njerëzit nga e njëjta familje të festojnë e jo të ketë mysafirë nga jashtë.

Spanja ka shpallë gjendje emergjente gjashtëmujore në tetor, duke i dhënë rajoneve mbështetje ligjore për orë policore dhe kufizime tjera.

Derisa niveli i infeksionit në Spanjë është ngadalësuar, shifra totale e 1.66 milionë rasteve është më e larta në perëndim të Evropës. Shifra e të vdekurve ka arritur në 45.784.