Spanja është favorite për ta fituar turneun verën e ardhshme.
Zyrtarë të qeverisë spanjolle kanë sugjeruar se mund ta tërheqin kombëtaren e tyre nga Kupa e Botës 2026.
Turneu më i madh i futbollit botëror do të zhvillohet verën e ardhshme në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara – për herë të parë i organizuar nga tre vende së bashku.
Kampionët e Evropës, Spanja, janë favoritët kryesorë sipas basteve për ta fituar trofeun dhe janë në rrugë të mbarë për t’u kualifikuar, pasi kanë marrë dy fitore nga dy ndeshjet e para në fazën kualifikuese.
Por tashmë ekzistojnë sugjerime se skuadra e Luis de la Fuente mund të tërhiqet nga Kupa e Botës në shenjë proteste nëse Izraeli arrin të kualifikohet.
Izraeli aktualisht është në vendin e tretë në grupin e tij kualifikues, me gjasa reale për të siguruar të paktën një vend në “play-off.” Ata janë gjashtë pikë pas Norvegjisë kryesuese, por me pikë të barabarta me Italinë e vendit të dytë, me tre ndeshje të mbetura.
Vetëm fituesi i grupit kualifikohet automatikisht për Kupën e Botës, ndërsa vendi i dytë ka shanse për play-off, në varësi të rezultateve të grupeve të tjera.
Qeveria spanjolle: Izraeli duhet përjashtuar nga sporti ndërkombëtar
Kryeministri Pedro Sanchez ka bërë thirrje që Izraeli të përjashtohet nga garat ndërkombëtare sportive për shkak të veprimeve të tij në Gaza.
Më herët këtë javë, Sanchez tha se Izraeli duhet të trajtohet njësoj si Rusia, e cila u përjashtua nga FIFA dhe UEFA pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
“Izraeli nuk mund të vazhdojë të përdorë asnjë platformë ndërkombëtare për të larë imazhin e vet,” tha Sanchez përpara përfaqësuesve të Partisë së Punëtorëve Socialistë.
Një komision hetimor i OKB-së tha të martën se ka “arsye të forta” për të konkluduar se katër nga pesë aktet gjenocidale, sipas të drejtës ndërkombëtare, janë kryer nga Izraeli në Gaza.
Konflikti aktual filloi me sulmin e Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 64,964 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës të kontrolluar nga Hamasi – shifra të cilat konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Ministria e Jashtme e Izraelit e ka refuzuar kategorikisht raportin e OKB-së si “të shtrembëruar dhe të rremë,” ndërsa ministri i Jashtëm Gideon Saar e ka quajtur Sanchez-in “një turp” për komentet e tij.
A mund të bojkotojë Spanja Kupën e Botës 2026?
Zëdhënësi i Grupit Socialist në Kongresin spanjoll, Patxi Lopez, ka sugjeruar se qeveria mund të votojë për bojkotimin e Kupës së Botës nëse Izraeli kualifikohet dhe lejohet të marrë pjesë.
Kjo vjen pasi transmetuesi publik RTVE ka kërcënuar gjithashtu me bojkot të Festivalit Evropian të Këngës 2025 nëse Izraeli merr pjesë – duke ndjekur shembullin e Holandës, Irlandës, Sllovenisë dhe Islandës.
Duke përforcuar komentet e Sanchez-it, Lopez u bëri thirrje organizatave sportive të “përjashtojnë” Izraelin nga garat, ashtu siç ndodhi me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës.
I pyetur nëse Spanja do të tërhiqej nëse Izraeli merr pjesë në Kupën e Botës, Lopez tha për COPE: “Do ta shqyrtojmë më vonë” dhe se një kërkesë mund të bëhet “në kohën e duhur” nëse nuk merren masa kundër Izraelit.
Zëdhënësja e qeverisë dhe Ministrja e Sportit, Pilar Alegria, gjithashtu ka bërë thirrje që Izraeli të përjashtohet nga garat ndërkombëtare për shkak të përkeqësimit të situatës në Gaza.
“Sporti nuk është dhe nuk mund të jetë një ishull i pavarur nga ajo që ndodh në botën reale, sidomos kur bota reale na tregon se të drejtat e njeriut po shkatërrohen,” tha ajo.
FIFA dhe UEFA ende nuk kanë reaguar publikisht ndaj komenteve të Sanchez-it, Lopez-it dhe Alegria-s. /GazetaExpress/