Spanja po ofron mundësi joshëse për ata që kërkojnë një ndryshim në jetë, duke i nxitur të zhvendosen në fshatra më të qeta – madje në disa raste edhe me pagesë.
Qeveria dhe iniciativa të ndryshme synojnë të ringjallin zonat rurale, të cilat prej vitesh po boshatisen pasi të rinjtë largohen drejt qyteteve për punë, ndërsa popullsia e moshuar mbetet. Si pjesë e këtyre programeve, disa aplikantë mund të përfitojnë deri në rreth 13,000 paund për t’u zhvendosur.
Një nga skemat më të përfolura është programi “Live in Ambroz” në rajonin Extremadura, i cili u ofron nomadëve digjitalë grante deri në 15,000 euro për të jetuar aty për të paktën dy vite. Zona e Ambrozit ka 70–90% më shumë diell në vit krahasuar me qytete si Londra, që përkthehet në rreth tre orë shtesë diell çdo ditë.
Përveç klimës së favorshme, edhe kostoja e jetesës është më e ulët. Qiratë janë relativisht të përballueshme, me shtëpi me tre dhoma gjumi që mund të gjenden rreth 690 euro në muaj.
Megjithatë, Spanja nuk është e vetmja që ofron stimuj të tillë. Në Sardenja, autoritetet ofrojnë deri në 15,000 euro për ata që vendosin të jetojnë në fshatra të vegjël me më pak se 3,000 banorë, me synimin për të frenuar rënien e popullsisë dhe për të mbështetur ekonominë lokale.
Për çiftet që planifikojnë familje, ka edhe përfitime shtesë: pagesa mujore për fëmijët e vegjël, deri në moshën pesëvjeçare.
Ndërkohë, fshati Radicondoli ofron stimuj si për qiramarrësit ashtu edhe për blerësit e shtëpive. Programi i tyre mbulon deri në 50% të qirasë për dy vite ose ofron ndihmë financiare për blerje banese, me kusht që banorët të qëndrojnë të paktën 10 vite. Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e shtëpive në këtë fshat janë bosh.
Edhe Albinen është një alternativë interesante për ata nën 45 vjeç. Banorët e rinj mund të përfitojnë deri në 25,000 franga zvicerane për të rritur dhe 10,000 për fëmijë, por duhet të jetojnë aty për të paktën 10 vite dhe të blejnë një pronë me vlerë minimale të caktuar.
I rrethuar nga male mahnitëse dhe shtëpi tradicionale alpine, Albinen ofron një stil jetese të qetë, me qasje të lehtë në qytete të afërta dhe qendra skijimi.
Në përgjithësi, këto iniciativa tregojnë një trend në rritje në Evropë: vendet po konkurrojnë për të tërhequr banorë të rinj në zonat rurale, duke ofruar jo vetëm mbështetje financiare, por edhe një cilësi më të lartë jetese. /GazetaExpress/
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...