Luciano Spalletti është shkarkuar nga detyra si trajner i Italisë, por mund të mos qëndrojë gjatë pa punë, pasi ka marrë një ofertë marramendëse prej 18 milionë eurosh në sezon nga Al-Nassr i Cristiano Ronaldos, ku do të zëvendësonte Stefano Piolin.
Tekniku italian u shkarkua pas një fillimi katastrofik në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026, me një humbje 3-0 ndaj Norvegjisë dhe një fitore të zbehtë 2-0 ndaj Moldavisë.
Edhe pse Federata Italiane ende nuk ka gjetur një zëvendësues, Spalletti tashmë po përballet me oferta të reja, konkretisht nga Arabia Saudite.
Al-Nassr e ka kontaktuar që të dielën, pra një ditë para ndeshjes së fundit ndaj Moldavisë, vetëm disa orë pasi ai kishte njoftuar largimin e tij në një konferencë për shtyp të çuditshme.
Sauditët i kanë ofruar një kontratë dyvjeçare me një pagë të majme prej 18 milionë eurosh në sezon.
Spalletti ende nuk ka marrë një vendim, por pas një eksperience aq të lodhshme në stolin e Italisë, oferta është padyshim joshëse.
Nëse e pranon, ai do të punonte me Cristiano Ronaldon dhe do të zëvendësonte një tjetër italian, Stefano Piolin, i cili u emërua në shtator 2024.
Nuk është sekret që Pioli po shtyn për një rikthim në Serie A, ku është i lidhur me një kalim të mundshëm te Fiorentina.