Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar apartamentin me sipërfaqe 75.3 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, në pronësi të ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe.
Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, personi nën hetim Fatos Tushe, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, nuk ka deklaruar apartamentin në Lungomare Vlorë, pasuri e cila është e regjistruar në emrin e një kompanie që operon në fushën e ndërtimeve, por që posedohet nga personi nën hetim
Tushe përfundoi dënimin pak kohë më parë për shpërdorim detyre dhe shkelje te barazise ne tendera.
Tushe u dënua me 3 vite e 4 muaj burg për dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim. Denimin me 2 vite e 4 muaj , Tushe e kishte shlyer me afatet e paraburgimit dhe për këtë arsye ai u lirua në muajin janar të këtij viti,
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 136, datë 29.02.2024, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
2. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria Nr. 40/267/4+1-21, Z.K 8602, lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 75.3 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë”.
Hetuesit Financiarë dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e Urdhërit të Prokurorisë së Posaçme datë 04.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.