Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka intensifikuar hetimet për zëvendëskryeministren shqiptare, Belinda Ballukun, e akuzuar për abuzime me tenderat në Tunelin e Llogarasë dhe Unazës së Madhe.
Sipas burimeve të siguruara nga gazetarja Klodiana Lala, prokurorët kanë kërkuar informacion mbi pasurinë e Ballukut në disa banka të nivelit të dytë.
“Gjatë ditëve të fundit janë duke u kryer hetime lidhur me pasurinë e Ballukut dhe prokurorët e posaçëm kanë adresuar një sërë shkresash tek institucionet ndihmëse, si bankat e nivelit të dytë, kadastra apo edhe institucione të tjera, për të marrë informacion lidhur me pasurinë e Ballukut, por edhe personave të bashkëlidhur me të”, tha Lala.
Sipas saj, “pas grumbullimit të të gjitha informacioneve do të ketë edhe një regjistrim të procedimit penal lidhur me hetimin pasuror”.
Lala thotë se deri në këto momente janë siguruar disa informacione nga banka të nivelit të dytë si dhe është kërkuar informacion pranë ILKPDI.
“Janë duke u këqyrur me shumë kujdes celularët dhe provat e siguruara gjatë kontrolleve të kryera në biznese të ndryshme, për të parë nëse do të gjenden të dhëna që mund të ndihmojnë në hetimin pasuror të Ballukut”, u shpreh Lala.
Sa i takon hetimit të çështjes penale, burime nga SPAK për gazetaren Lala bëjnë të ditur se janë duke u hetuar të gjitha kompanitë të cilat rezultojnë se kanë fituar tenderat për të cilat Balluku është e pandehur ose nën hetim.
“Pas kontrolleve, SPAK ka marrë të gjitha bilancet, librat e shitje blerjeve për të parë nëse ka dyshime për korrupsion lidhur me paracaktimin e këtyre tenderave. Bëhet fjalë për një dosje voluminoze”, deklaroi Lala.