SPAK bëhet me 13 prokurorë, konfirmohet Manjola Kajana. Bashkëshorti aplikoi si i pastrehë - Gazeta Express

SPAK bëhet me 13 prokurorë, konfirmohet Manjola Kajana. Bashkëshorti aplikoi si i pastrehë

Shqiperi

Gazeta Express

11/07/2020 10:29

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten të lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurores Manjola Kajana, duke i hapur rrugën dekretimit të saj në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

Vendimi u shpall publikisht në kohë reale në faqen e KPA-së nëpërmjet platformës livestream, për shkak të masave kufizuese ndaj përhapjes së COVID-19. Manjola Kajana e kaloi vetingun në shkallë të parë më 18 qershor 2019, por Komisioneri Publik e ankimoi atë me argumentin se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk kishte kryer një hetim të plotë. Procesi në Kolegj u fokusua te dyshimet për konflikt interesi përmes aplikimit të bashkëshortit të subjektit si i pastrehë në Fier, si dhe marrjen e një kredie në Bankën Kombëtare Tregtare.

Gjithsesi, pas administrimit të dokumentacionit të plotë, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, pranoi se Kajana nuk kishte qenë në konflikt interesi dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. Gjatë shqyrtim it gjyqësor në Kolegj rezultoi se Kajana nuk kishte hetuar ndonjëherë zyrtarë të Bashkisë Fier apo punonjës të BKTsë dhe Komsioneri u tërhoq nga ankimi duke argumentuar se subjekti i rivlerësimit nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit në asnjë rast. Trupi gjykues i Kolegjit, i cili shqyrtoi ankimin e Komisionerit ndaj vendimit të KPKsë për Kajanën, përbëhej nga Natasha Mulaj kryesuese, Luan Daci relator dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz e Ardian Hajdari anëtarë. Vendimi i Kolegjit i hap rrugën dekretimit të Kajanës për një post në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

S’KA KONFLIKT INTERESI

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, u tërhoq të martën nga shkaqet e ngritura në ankimin për prokuroren Manjola Kajana, duke i hapur rrugën konfirmimit të saj në detyrë edhe në shkallën e dytë të vetingut. Komisioneri deklaroi në seancë se nga aktet e administruara nga Gjykata e Fierit rezulton se prokurorja Kajana nuk ka kryer hetime për abuzimin me kreditë e buta nga zyrtarët e Bashkisë së Fierit dhe nuk ka qenë drejtuese e organit të akuzës. Ballhysa shtoi gjithashtu se nga përgjigjja e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme nuk rezulton që Kajana të ketë kryer hetime për BKT-në apo për punonjës të kësaj banke. “Nuk provohet të ketë qenë në kushtet e konfliktit të interesit”, tha Ballhysa në seancë, duke u tërhequr nga shkaku kryesor i ankimit. Ndërsa shkaqet e tjera të ngritura lidhur me mundësinë e aplikimit të familjarit të prokurores Kajana si i pastrehë dhe një balancë të vogël financiare në vlerën 115 mijë lekë, Ballhysa i konsideroi si joshkarkuese. Për dy denoncimet nga publiku të kryera ndaj Kajanës në KPA, Komisioneri tha se ishin të pambështetura në prova e në ligj. “Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkon lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Manjola Kajana”, shtoi Ballhysa.

Edhe prokurorja Manjola Kajana e konsideroi hetimin gjyqësor të plotë e të gjithanshëm. Ajo mohoi konfliktin e interesit lidhur me hetimin e zyrtarëve të Bashkisë së Fierit, ndërsa për një kredi të marrë nga BKTja, ajo tha se nuk kishte pasur trajtim preferencial. “Bazuar në aktet e administruara, Kolegji do të krijojë bindjen se unë nuk kam qenë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk jam privilegjuar nga Bashkia e Fierit apo nga Banka Kombëtare Tregtare”, shtoi ajo. Lidhur me ligjshmërinë e aplikimit të bashkëshortit si i pastrehë, Kajana shpjegoi se banesa që dispononin në qytetin e Durrësit nuk i plotësonte kushtet për jetesën e tre personave, pasi ishte më e vogël nga sa parashikohej në legjislacion. Ajo shtoi se banesa në Durrës ishte paraqitur në aplikim dhe se kredia e butë nuk është disbursuar. BIRN