Endrit Dokle, një eksponent i botës së krimit në Shqipëri, i shoqëruar sot në ambientet e policisë, pasi ndodhej në një makinë me të shpallurin në kërkim Fatjon Murati, më herët është marrë në pyetje edhe për zhdukjen e mistershme të Ervis Martinajt.
Marrja në pyetje erdhi pas deklaratave të familjarëve të Martinajt që ngritën akuza se prapa zhdukjes se djalit të tyre qëndron pikërisht Dokle.
Në dosjen e plotë hetimore e cila është publikuar pak muaj më parë bëhet me dije se ndër të tjera, Martinaj ka qenë i interesuar posaçërisht për vrasjen e Endrit Dokles, ish-anëtarit të bandës së Durrësit. Dokle la qelinë në vitin 2020 ndonëse ishte dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje.
I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ka dëshmuar para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, se Ervis Martinaj ka porositur vrasjen e Endrit Dokles. Dumani, ka deklaruar se i ka marrë paratë Ervis Martinajt, një shumë prej 100 mijë euro por nuk ka pranuar që të eliminojë Doklen.
/Gazeta Express