Sot saktësisht 10 vjet nga zgjedhja e Hashim Thaçit President, publikohet fotografia kur kishte festuar me stafin - Gazeta Express
string(112) "sot-saktesisht-10-vjet-nga-zgjedhja-e-hashim-thacit-president-publikohet-fotografia-kur-kishte-festuar-me-stafin"

Lajme

Gazeta Express

26/02/2026 9:23

Sot saktësisht 10 vjet nga zgjedhja e Hashim Thaçit President, publikohet fotografia kur kishte festuar me stafin

Lajme

Gazeta Express

26/02/2026 9:23

Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka publikuar një fotografi me ish-Presidentin Hashim Thaçi, në shënim të dhjetëvjetorit të zgjedhjes së tij në krye të shtetit. Aty Thaçi shihet tek feston,i rrethuar nga stafi i tij.

“Sot, si dhjetë vjet më parë, në Parlamentin e Kosovës, me 71 vota pro, Hashim Thaçi u zgjodh President i Kosovës. Sot, pas dhjetë vjetëve, Kosovës i mungon më shumë se kurrë!”

Dhjetë vjet më parë, më 26 shkurt 2016, kryetari i atëhershëm i PDK-së, Hashim Thaçi, u zgjodh President i Kosovës në raundin e tretë të votimit në Kuvend, mes tensionesh të larta politike. Ai siguroi 71 vota, pasi në dy raundet e para nuk arriti të merrte dy të tretat e votave të deputetëve.

Procesi u shoqërua me kundërshtime të ashpra nga opozita, e cila ndërpreu dy herë seancën duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit. Deputetët opozitarë akuzuan Thaçin dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa për veprime të dëmshme ndaj vendit, duke përmendur marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë dhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ata gjithashtu shprehën dyshime për marrëveshje të mundshme me Listën Serbe në këmbim të votave.

Ndërkohë, jashtë ndërtesës së Kuvendit pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku u përdor gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e turmës. Nga incidentet u raportuan disa të lënduar, përfshirë pjesëtarë të policisë dhe protestues.

Hashim Thaçi mori zyrtarisht detyrën e Presidentit më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës. Para kësaj, ai kishte mbajtur poste të larta shtetërore, përfshirë atë të kryeministrit të Kosovës (2007–2014) dhe zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme (2014–2015).

Më 5 nëntor 2020, Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit dhe udhëtoi drejt Hagës, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij për krime lufte. Në konferencën e fundit si President, ai deklaroi se nuk do të përballej me drejtësinë ndërkombëtare duke qëndruar në detyrë si President i Kosovës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement