Sot përpjekja e 52-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës - Gazeta Express
string(60) "sot-perpjekja-e-52-te-per-konstituimin-e-kuvendit-te-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

25/07/2025 6:59

Sot përpjekja e 52-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Lajme

Gazeta Express

25/07/2025 6:59

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, për herë të 52-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Në vazdimin e seancës konstituive, që pritet të nis në orën 11:00, të pranishëm do të jenë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

 “Duke qenë se është mundësia e fundit për ta konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në Parlament”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Tentimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të mërkurën nuk ka dhënë asnjë rezultat. Ndryshe nga herët tjera, nuk është hedhur në votim fare formimi i komisionit për votim të fshehtë, pasi pati një përplasje mes kryesuesit të seancës, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut.

Dehari i kërkoi regjisë t’ia ndalë fjalën Musliut duke u thirrur në rregulloren e Kuvendit që nuk ka hapësirë për debat. Kjo e fundit ia mori mikrofonin Deharit për ta vazhduar fjalimin e duke i kërkuar që të mos i ndërpritet fjala.

Dehari mbylli seancën duke thënë se nuk ka kushte për vazhdimin e saj.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ua ka ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor që e pati përcaktuar në  aktgjykimin e parë (pas kërkesës  së AAK-së). Masa e përkohshme e Kushtetueses, e përcakton se kjo ndalesë  vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në vendimin e saj, Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 27 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.

Tutje thuhet se Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.

“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet tutje në vendim.

Gjykata ka vendosur “të caktojë ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25”.

Vendimi për masë të përkohshme është i ndërlidhur me rastin që e kanë dërguar deputetët e LDK-së dhe PDK-së ku kontestohet vendimi i Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025. Megjithatë Gjykata e ka nxjerrë vendimin për masë të përkohshme ex-oficio (në bazë të detyrës zyrtare) pa qenë kërkesë e parashtruesve.