Myslimanët si në tërë botën, ashtu edhe në Kosovë, sot e kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban-Bajramit, u mbajt në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.
Namazi i Kurban-Bajramit u fal në orën 05:35.
Me rastin e festës së Kurban-Bajramit, ditën e parë, më 6 qershor 2025, Kryesia e BIK-ut, siç është traditë, organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë, nga ora 09:00 deri në 12:00.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë për këtë festë të shenjtë.
“Në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, për t’ju përcjellë për këtë festë kaq madhështore, festën e Kurban Bajramit, urimet më të përzemërta, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që kjo ditë e bekuar t’ju gjejë me zemra të qeta, me shëndet dhe mirëqenie, me familje të bashkuara dhe me besim të thelluar në vlerat më të larta shpirtërore”, ka theksuar Tërnava në mesazhin e tij.
“Kurban Bajrami është përkujtim i sakrificës profetike të Ibrahimit a.s., i cili ishte i gatshëm që ta flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të Madhërishëm, dhe i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufij dhe as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin më të lartë pikërisht në dorëzimin e plotë ndaj vullnetit hyjnor të Zotit xh.sh.. Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, ka thënë ai.
aaaaa