Galeria Qahili hap programin e saj të vitit 2025, me ekspozitën “Arti i Kallnorit: Buron Kaceli.” Hapja e ekspozitës “Arti i Kallnorit: Buron Kaceli” do të bëhet të enjten me 16 janar, nga ora 19:30, në ambientet e Galerisë Qahili, ekspozitë kjo e kuruar nga Nita Qahili.
“Ekspozita vjetore “Arti Kallnorit: Buron Kaceli”, “Mjeshtër i Madh” hulumton konceptin e lëvizjes në art dhe shqyrton se si figura njerëzore në piktura tërheq sjelljen e shikimit. “Lëvizja” në art i referohet një grupi veprash arti që ndajnë stile, teknika, filozofi ose tema të ngjashme, shpesh të shfaqura si përgjigje ndaj çështjeve shoqërore, kulturore ose historike. “Mjeshtër i Madh” Buron Kaceli përdor linja, forma, ngjyra dhe kompozime për të përcjellë lëvizjen, duke përfshirë si parime vizuale bazë ashtu edhe faktorë kompleksë kognitivë.“
… pjesë nga koncepti i ekspozitës
“Arti Kallnorit” është një kremtim i fillimit të Vitit të Ri, një mundësi për t’u riformuar dhe frymëzuar nga arti dhe kultura. Sjell një ritëm të ri, duke vënë në qendër jo vetëm veprat artistike, por edhe reflektimin mbi lëvizjet dhe sjelljet e shoqërisë në një moment transformues. Duke bashkuar artistë, krijues dhe publikun e gjerë, kjo iniciativë synon të ndërtojë një hapësirë ku idetë dhe energjitë e reja të ndërthuren.
Përmes një dialogu të hapur dhe ndërveprimit mes artit dhe komunitetit, “Arti Kallnorit” synon të frymëzojë pjesëmarrësit për të menduar më thellë dhe për të shprehur qëllimet e tyre për vitin e ardhshëm. Kjo hapësirë bëhet një pikë takimi simbolike ku vizionet dhe aspiratat përplot 12 muaj marrin formë, duke nxitur jo vetëm krijimin artistik, por edhe zhvillimin personal dhe kolektiv. Në këtë mënyrë, “Arti Kallnorit” shërben si një urë lidhëse mes së tashmes dhe së ardhmes, duke përthithur ndikimet e artit dhe kulturës për të sjellë kuptim dhe harmoni në jetën e përditshme.