Mbrojtja e Rexhep Selimit do të vazhdojë deklaratën përmbyllëse edhe gjatë ditës së sotme.
Avokati Geoffrey Roberts dje tha se klienti i tij është i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë.
Ai tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar asnjë dëshmi se Selimi ka shkruar komunikata dhe nuk ka as bazë për t’ia atribuuar këto përgjegjësi të akuzuarve, raporton Kp.
Derisa foli për pretendimet e Prokurorisë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, avokati tha se nuk ka ekzistuar një gjë e tillë.
Ai gjatë deklaratës përmbyllëse, të cilën e filloi ditën e djeshme tha se “nëse e pyet Prokurorinë se a ka qenë Adem Jashari pjesë e NPK-së nuk mund të përgjigjet”.
Paraqitja e deklaratave përmbyllëse nga ana e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit do të vazhdojë edhe sot, pastaj radha është e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Edhe ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kenë mundësi të mërkurën që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues.
Sot është dita e pestë prej kur kanë nisur deklaratat përmbyllëse të palëve.
Kjo fazë ka nisur me parashtrimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së.
Në Kuvendin e Kosovës mbrëmë është miratuar një rezolutë për gjykim të drejtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.