Sot fiton Kosova (nëse luan me zemër) - Gazeta Express
string(35) "sot-fiton-kosova-nese-luan-me-zemer"

Sot fiton Kosova (nëse luan me zemër)

Gazeta Express

08/10/2020 14:35

Mungesat e kombëtares së Kosovës janë të dhimbshme, mirëpo sot nuk është koha për të vajtuar, por për të luajtur. Lojën, shumë herë, e fiton ai ekip që e dëshiron më shumë fitoren. Ndoshta nuk ka nevojë që ta rikujtojmë “masakrën” e Aston Villës mbi ekipin më të mirë në botë, Liverpoolin. Fatbardhësisht dallimi në mes nesh dhe Maqedonisë, edhe përkundër mungesave, nuk është kaq i madh. 

Shkruan: Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Nëse flasim me tru, e jo me zemër, për shkak të mungesave të mëdha të kombëtares së Kosovës, favorit për të ecur për në fazën e mëtutjeshme drejt kualifikimit për në kampionatin evropian është Maqedonia. Për fatin tonë të mirë, shpeshherë në futboll, posaçërisht në ndeshje të këtilla akute, ku nuk ka as ndeshje të kthimit, ku nuk ka shumë xhiro, ku nuk kërkohet shumë konsistencë, zemra ka një rol të madh. Përndryshe, sikur të ishte e kundërta, sikur vazhdimisht të fitonin favoritet, atëherë Liga e Kampioneve vazhdimisht do të shkonte te tri-katër skuadra të mëdha evropiane, Premier Liga vazhdimisht do të fitohej prej atyre ekipeve që kanë shpenzuar më së shumti, e kështu me radhë. Por hidhjani një sy tabelës në Angli. Në krye të valles janë ekipe si Everton, Aston Villa dhe Leicester. As të mos lëshohemi për të analizuar se çfarë ndodhi në ndeshjen Aston Villa – Liverpool. Ekipi më i mirë në botë momentalisht u “masakrua” pamëshirshëm nga pala tjetër. Djemtë e Kloppit për 90 minuta janë shëtitur nëpër fushë, siç i thonë një fjale, “sikur qurat në mjegull”. Nuk e gjenin dot topin.

Pra, futbolli nuk është asgjë tjetër përveçse një kombinim i balancuar dhe delikat në mes të talentit dhe dëshirës. Nuk ka fjalë, edhe nëse një lojtar i ka dy zemra, por nuk e ka fijen e talentit, asnjëra prej tyre nuk do t’i hyjë në punë në fushën e gjelbër. Ai edhe mund të vdesë duke vrapuar, mund të mos ndalet për 90 minuta, por ajo do të ishte thjesht një sakrificë e kotë. Sikurse mund të thuhet edhe anasjelltas, edhe lojtarët më të talentuar në botë, kur luajnë pa motiv dhe pa zemër nuk vlejnë pesë pare.

Tash te kthehemi te drama që sonte pritet të zhvillohet në Shkup, e ku me mendje dhe me zemër jemi miliona shqiptarë. Më të pafat sesa kaq nuk do të mund të ishim. Në ndeshjen më të rëndësishme në historinë tonë të futbollit Kosova sonte zbret me mungesa të tmerrshme. Me këtë fjali nuk dëshiroj të nënvlerësoj aspak pjesën tjetër të ekipit, mirëpo pa Rashicën, Muriqin, Rrahmanin, Halimin, Kryeziun, Bernard Berishën etj., Kosova nuk është në ditën më të mirë të saj. Këta që i përmenda më sipër nuk janë disa prej lojtarëve të ekipit tonë. Këta janë kurrizi i ekipit tonë.

Mirëpo, cili është opsioni? Të luajmë ose të dorëzohemi ende pa e filluar ndeshjen? Pra, është vetëm një opsion: të luajmë për fitore.

Këta djem që sot luajnë e dinë më mirë se kushdo tjetër se çfarë do të thotë kjo ndeshje për vendin tonë, për shtetin tonë, për imazhin tonë. Këta janë themeluesit e kombëtares tonë. Këta janë ata që në një moment historik, historia në rastin e kombëtares tonë është edhe e tashmja, i bëri bashkë legjenda e këtij sporti, Fadil Vokrri për ta përfaqësuar vendin tonë kur shumëkush besonte që kjo gjë nuk do të jetë e mundur. Shumë pak kanë besuar në këtë projekt, i cili pastaj na dha aq shumë. I ndezi flakë zemrat tona, e shndërroi Prishtinën në një kryeqytet të futbollit, i riktheu emocionet e viteve të ‘80-ta, kur i riu dhe plaku, burri dhe gruaja, gjyshi dhe gjyshja, e prisnin me padurim ndeshjen e të dielës. A nuk ishte i njëjti emocion për gjithë këto vite? A nuk u bëmë bashkë që të gjithë, duke i lënë anash ndarjet politike, ndarjet krahinore, për ta mbështetur ekipin e Kosovës?

Ky ekip dhe kjo kombëtare është gjëja më e bukur që i ka ndodhur vendit tonë prej kur është shpallur pavarësia. Këta djem që i bëjnë qull fanellat e tyre për të na bërë krenarë ne të tjerëve, janë pasuria më e madhe që e kemi. Janë pasuri më e madhe sesa minierat e Trepçës.

Ne kemi shpresuar dhe kemi dashur që ngjarjet të zhvilloheshin më ndryshe. Kemi dashur dhe kemi shpresuar që sot t’i kishim në fushë sulmuesit më të mirë, në mesfushë t’i kishim matematikanët më të mirë, kurse në vijën e mbrojtjes t’i kishim gladiatorët më të fuqishëm. Por ja që kjo është gjendja. Tashmë nuk është koha e duhur për të vajtuar mungesat, por është koha e duhur për t’i frymëzuar të tjerët që e kanë mundësinë për t’u futur në histori. Për ta shtyrë edhe pak më tutje që të tjerët e sollën deri këtu. Është koha që këta t’i lidhin fort këpucët e ta djersitin shumë fanellën. Tash, për ne, këta janë yjet e ekipit tonë. Këta janë për ne djemtë më të talentuar që i kemi. Krejt çka presim sonte është vetëmohimi i pashoq, presim që ata ta kuptojnë peshën e kësaj ndeshjeje, rëndësinë e saj. Presim që ata të luajnë me zemër.