Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahet seanca e parë gjyqësore për rastin “Zhvatja” në të cilin janë të akuzuar Bojan Jovanovski – Boki 13, ish prokurorja speciale Katica Janeva dhe Zoran Milevski-Kiçeec.
Nga arresti shtëpiak në gjykim duhet të sillen të akuzuarit në Katica Janeva dhe Zoran Milevski-Kiçeec, përderisa i akuzuari i parë Bojan Jovanovski nga INP Burgu -Shkupi ku po vuan masën e paraburgimit.
Në ndërkohë,Gjykata e Apelit sot duhet të vendos se a do të mbetet ai edhe më tutje në paraburgim. Avokati i tij Sasho Dukovski kërkon që të lëshohet nga burgu për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Gjykata Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në tetor të këtij viti ngriti akuzë kundër Jovanovskit, Janevës dhe Milevskit.
Siç bëri të ditur Prokuroria Publike, i akuzuari i parë Jovanovski dyshohet se ka kryer vepër penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”, ndërsa Janeva dhe Milevski për “pranim të shpërblimeve për ndikim të jashtëligjshëm”. E akuzuara e dytë Janeva akuzohet edhe se ka kryer vepër penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
“I akuzuari i parë në periudhën prej nëntorit të vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, duke e përdorur ndikimin e tij ndaj të akuzuarit të dytë – prokuror publik, ka ndikuar që të bëhet veprim zyrtar të cilin nuk guxonte ta kryente. Ai, duke i përdorur marrëdhëniet miqësore, ka ndikuar ndaj të akuzuarës së dytë, gjatë zbatimit të procedurës hetuese në lëndën e quajtur ‘Perandoria’, që ta lehtësojë pozitën e dëshmitarit i cili në këtë lëndë është një nga të dyshuarit dhe të cilit me propozim të prokurorit publik i ishte përcaktuar masa e paraburgimit. I akuzuari i tretë kishte kontribuuar për kryerjen e veprës penale për realizimin e takimeve të dakorduara të të akuzuarit të parë me bashkëshorten e dëshmitarit, ndërsa më vonë edhe me dëshmitarin, gjatë kësaj duke i bindur për ndikimin e tij ndaj prokurorit publik”, sqaron Prokuroria Publike.
E akuzuara e dytë e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe pasi i akuzuari i parë bashkë me të akuzuarin e tretë i kishte marrë 500.000 eurot për të cilat ishin marrë vesh nga bashkëshortorja e dëshmitarit ka dorëzuar deri te Gjykata e Apelit në Shkup propozim për përcaktimin e masës më të lehtë – arrest shtëpiak, e cila ishte pranuar. Njëherë, sipas marrëveshjes, pas pagesës së 1.000.000 euro, e akuzuara e dytë ka dorëzuar leje me shkrim deri te gjykata që pasaporta e marrë t’i kthehet përkohësisht dëshmitarit.
Me veprimet e ndërmarra zyrtare, e akuzuara e dytë e kishte shfrytëzuar dhe e kishte tejkaluar pozitën e saj zyrtare dhe autorizimin dhe për vete ka marrë përfitim pronësor në vlerë të madhe edhe atë në sende – mobilie në vlerë prej 296.040,00 denarëve dhe para në vlerë prej 50.000 eurove, ndërsa për ndikimin e jashtëligjshëm dy të akuzuarit e tjerë kishin pranuar shpërblim prej 1.500.000 eurove. I akuzuari i parë edhe pse i papunë, me xhirollogari të bllokuara dhe pa të ardhura, në fillim të këtij viti kishte blerë për vete mobilie luksoze, veshmbathje dhe këpucë dhe kishte qëndruar në pushimore luksoze – resorte jashtë vendit që na bën të ditur se i ka lëshuar në qarkullim mjetet të cilat i kishte marrë me veprën penale “Pranim të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm”.
Në kuadër të rastit “Zhvatja”, Prokuroria hapi hetim të ri i cili ka të bëjë me Aleancën Ndërkombëtare të Bojan Jovanovskit – Boki 13.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit informon se hetimi për rastin “Reket” është zgjeruar, gjegjësisht është sjellë vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër pesë personave fizikë dhe një personi juridik, për shkak të dyshimit se i dyshuari i parë ka kryer vepër penale në vazhdimësi “mashtrim” dhe vepër penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”.
Çdo shtëpi është një hapësirë që duhet të jetë komode dhe e organizuar, për të lehtësuar jetën tonë të...