Më 17 janar 1605 doli në shitje botimi i parë i romanit Don Kishoti i Miguel de Cervantes. Në këtë ditë, me rastin e 618 vjetorit të kësaj vepre me ndikim të jashtëzakonshëm në letërsinë botërore sjellim të dhëna mbi autorin dhe romanin.
Sikurse pranojnë parimet e Humanizmit evropian, romani bëhet model i transmetimit të vlerave morale të njeriut. Gjithmonë i referohemi kësaj periudhe të historisë si: Humanizmi dhe Rilindja. Djepi i kësaj lëvizjeje ishte Italia, ndërsa periudha kohore në të cilën ajo u zhvillua ishte shekulli XIV.
“Rilindja letrare evropiane përfshin nje periudhë trishekullore, që nis në një vigan si Dante dhe përfundon me një gjeni si Shekspiri . Rilindësit e quajtën veten humanistë kurse veprimtarinë e tyre humanizëm.
Romani “Don Kishoti i Mançës” është konsideruar si roman i ndërgjegjjes. Në prologun e veprës autori sqaron se ai e shkroi veprën si një parodi për romanet kalorsiake, duke u shndërruar kështu në pasqyrë të ideve të reja që shqetësonin mendjet përparimtare të shoqërisë spanjolle të kohës. Dihet se romanet kalorsiake ishin shkrime që i përkisnin periudhës së Mesjetës. Pranohet gjithashtu që cdo rrymë e re letrare lind si kundërvënie ndaj rrymës pararendëse. Pra, Humanizmi është kundërshti e Mesjetës. Don Kishoti (vepër e Humanizmit) është kundërshti e romaneve kalorsiake (të Mesjetës). Nga ana tjetër, problemi i mungesës së emancipimit të shoqërisë është një problem i gjithkohshëm, ndaj dhe vlera e kësaj vepre ruhet ndër shekuj.
Në vepër vesi dhe e keqja goditen nëpërmjet së qeshurës, pra goditet fakti që fryma kalorsiake e Mesjetës pengon ecjen përpara të shoqërisë pasmesjetare. Vepra është shkruar në kohën e kundër-reformës dhe autori është përpjekur duke shfrytëzuar përvojën teatrale të shesheve, për të shkrirë nje unitet universal me imazhet kalorsiake.
Romantikët kanë parë në figurat e Don Kishotit dhe Sanço Panços kundërvënien mes idealizmit dhe prakticizmin brutal. Drejtimet psikologjike i kanë parë këto dy figura si dy persona me natyra tepër të ndryshme:
Don Kishoti është parë si një natyrë ëndërrimtare dhe tepër ekspresive, ndërsa Sanço Panço si një njeri praktik dhe përllogaritës.
Drejtimet sociologjike zbuļojnë se pas figurës së Don Kishotit paraqitej vetëdija komike e klasave me tradita shumë konservatore, të cilat tentojnë të kthejnë historinë pas, ndërsa pas Sanço Panços ravijëzohet vetëdija dhe mendja e kthjellët e njeriut të thjeshtë por të ndrydhur si pasojë e një sistemi të dhunshëm.
Në një përcaktim të Nolit, Don Kishoti është tragjik (për veten) subjektivisht, por komik (objektivisht), pra për të gjithë që e shohin e tallen me të.
Gjithsesi Noli i lidhi qoftë subjektin, qoftë personazhet e veprës me rrethanat kur e përktheu veprën si dhe me bindjet e tij politike. Kështu, prapa figurës së Don Kishotit ai pa bejlurçinën që me armët e se kaluarës do të kthente rrotën e historisë mbrapsht, ndërsa pas Sanço Panços laron, që i shkonte pas të zotit pasi të gjitha rrethanat i kishin përcaktuar atë drejtim lëvizjeje.
Romani i drejtohet një publiku mjaft të gjerë, me synimin që t’i bënte të qeshnin seriozët dhe gaztorët t’i bënte të mendoheshin. Ai tregon se komikja në letersi përbën një mënyrë komunikimi tepër të efektshme (kur ajo realizohet sic duhet).
Format e komikës që përdor autori janë: kontrasti, ekzagjerimi (hiperbola, grotesku), imitimi dhe përseritjet si dhe manierizmi (artificialiteti) dhe arkaizmat.
Në plan të dukshëm, të drejtpërdrejtë, Servantes tregon bëma të kota, luftëra me krijesa – pjellë të fantazisë së heroit, të cilat janë veprime absurde dhe të rrezikshme për shoqërinë.
Në plan të dytë, në brendësi, Don Kishoti priret nga dëshira fisnike për të bërë gjëra të mira dhe kërkon t’i imponojë shoqërisë idealin e tij të dashurisë, nderit e virtytit njerëzor. Për të, liria është gjëja më e shtrenjtë. Këtu shfaqet, njëkohësisht, si ideali humanist, ashtu edhe tragjizmi i figurës së tij. Ai përfaqëson një individ qe do të bëjë mirë, por që nuk ka metodologjinë dhe mjetet e duhura për të arritur qëllimin e tij. Kështu që mbetet qesharak në sytë e të tjerëve.
Në fillim të romanit Don Kishoti endet nëpër lexime të romaneve letrare, duke sjellë sojliun e fantaksur pas librave që kërkon të ndërtojë një botë jashtë realitet por më pas, figura fiton përmasa të tjera. Kështu, teksa rrëfen historinë e Kalorësit të Liqenit, ai përshkruan me një frymëzim të thellë dhe fjala e tij i bën apel botës së privuar nga bukuria e këtij lloj frymëzimi.
Ai ka shpirt poetik, sepse i pëlqen të recitojë e të shkruaj vargje.
Ai është njeri i lexuar, është njeri i mendimeve të mëdha, prandaj fjala e tij për artin e luftës e dijes ka vlerë. Kur mendja e tij është e kthjellët, ai flet plot urtësi e arsye. Kur arsyeja e tij errësohet nga fantazia e kalorësit endacak, fillon shmanget drejt përçarjeve qesharake që përbëjnë bazën e romanit.
Ai kërkon që njerëzit të gjejnë harmoninë e tyre të natyrshme (vetë personazhi, sa herë qe i jepet rasti, i referohet antikitetit si epokë e artë, ndërkohë që shekullin e tij e vlerëson si shekull të hekurt, ku bota përshkohet gjithnjë e më shumë nga e keqja) ai lufton në emër të së mirës, duke u vetmohuar për idealin e mirësisë dhe kështu, ai del përparimtar i vërtetë! Në fund të jetës, në mësimet qe i jep Sanços, nënvizon se vlera dhe madhështia e vërtetë e një udhëheqësi nuk matet me përpjekjet e tij për t’u ngritur mbi njerëzit e tjerë me pushtet, por vetëm me mirënjohjen e respektin e parisë si dhe me punë të virtytshme.
Donkishotizmi, së fundi shpaloset si një dukuri e kot dhe e panevojshme. Edhe Sanço Panço i është nënshtruar analizave, gjykimeve e përcaktimeve të ndryshme. Kritika vë re se:
Me prejardhjen e tij, kjo figure shkon deri në Mesjeté; eshtë armëmbajtësi qe di vetëm të qeshë, te hajë e të pijë, është njeriu i thjeshtë e i parendësishëm i eposit heroik francez, q ë Servantesi e shndërroi në një personazh të gjallë e kompleks, dhe mbi të gjitha thellësisht njerëzor.
Fillimisht, ai duket sikur nuk ka asgjë të përbashkët me ustanë e tij, pasi atij i pëlqen të hajë, por jo të punojë dhe i pëlqen të rrojë me iluzionet për t’u bërë guvernator ndonjë ditë. Pra, të dy personazhet jetojnë në iluzione. Duket sikur ai është më praktik e në këtë rast, me natyrën e tij, i kundërvihet Don Kishotit. Duket shpesh më i mençur se i zoti, por e beson dhe e ndjek atë, sepse i zoti ka lexuar më shumë libra dhe duhet të jetë më i mençur për këtë shkak.
Sanço nga një shikim e plotëson Don Kishotin, duke qenë një alter-ego e tij, plotëson mungesat e tij. Nën ndikimin e padronit të tij, ai influencohet nga idealet e tij dhe fillon të bëhet më zemërgjerë (në fillim shkonte pas të zotit për t’u pasuruar, ndërsa në mbyllje, ai flet për dashurinë e për marrëdhënie të njerëzishme me të tjerët).
Të dy figurat mbeten thellësisht humaniste për shkak të vlerave të larta etike e shoqërore që ato transmetojnë. Ky tipar siguron dhe vazhdimësinë e lidhjeve të veprës me lexuesit.
Miguel De Cervantes Saavedra
Miguel Cervantes është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të këtij mijëvjeçari, veprat e të cilit janë të pashmangshme edhe në ditët tona, dhe mbetet një nga pikat referuese në të gjithë letërsinë për personazhet e tij të spiktatura te Don Kishoti i Mançes
Miguel de Cervantes Saaverda lindi në Alcalá – de – Hinares, Spanjë, në vitin 1547. E kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën në Valadolid, Salamankë, Sevilje dhe Madrid. Në Madrid, në vitin 1569, Huan Lòpez përfshiu në një përmbledhje të vetën disa poezi të Servantesit, duke e përkufizuar autorin “dishepulli ynë i dashur e i shtrenjtë”. Është e vetmja dëshmi që ekziston për edukimin e tij në kontakt me mjediset humaniste.
Qysh nga viti 1568, Servantesi udhëtoi në Itali pas Xhulio Akuavivës: u arratis nga Spanja për t’i shpëtuar dënimin me prerjen e dorës së djathtë dhe me dhjetë vjet mërgim, sepse kishte plagosur dikë me emrin Antonio de Segura. I futur në shërbimin ushtarak mori pjesë në betejën e Lapantos në 1571. Në vitin 1572 merr pjesë në dërgatën detare në Navarinos.
Më 1573 kthehet në Itali. Dy vjet më vonë, në Napoli merr anijen “Sol” për në Spanjë; anija sulmohet nga tri anije pirate turke pranë deltës së Rodanos; Servantesi kapet dhe dënohet në Algjer, ku shitet si skllav dhe atje futet në burg për pesë vjet. Më 24 tetor 1580 u lirua dhe u nis në Spanjë Në vitin 1584 martohet me Catalina de Salazar y Palacios. Deri në vitin 1600 banon në Sevilje. Përfshihet në falimentimin e një bankieri, gjë që solli burgimin e tij në Sevilje më 1602.
Pasi doli nga qelia, u vendos në Valadolid. I dyshuar padrejtësisht për vrasjen e një kalorësi, burgoset prapë për një kohë të shkurtër, ndërkohë që të dy motrat e tij dhe e bija, Izabel, përfliten për moral të dyshimtë. Transferohet në Madrid në oborrin e Filipit ll. Atje shkroi pjesën më të madhe dhe më cilësore të krijimtarisë së tij të gjerë. Vdiq në Madrid më 23 prill 1616.
/Express/