Sot e pret Kurtin, çfarë thoshte presidenti francez pas takimit me Vuçiqin pak muaj më parë - Gazeta Express

Sot e pret Kurtin, çfarë thoshte presidenti francez pas takimit me Vuçiqin pak muaj më parë

Lajme

Gazeta Express

23/06/2021 11:45

Kryeministri Albin Kurti sot do të takohet me presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili kishte provuar edhe më herët ta shtynte përpara arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta Express

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në orën 19:30 do të pritet në Pallatin Elysee në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në shkurt të këtij viti, në po të njëjtin vend ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Më herët, aty kishte qenë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Macron, pas takimit me Vuçiqin pranonte se kryetema e takimit ishte dialogu Kosovë – Serbi, ndërsa theksonte se do të mbështeste zgjidhjet që propozoheshin nga presidenti serb, e të cilat presidenti francez i quante inovative.

“Patëm bisedime të besimit të plotë me presidentin Vuçiq sa i përket kësaj teme, dhe dua ta përshëndes përgjegjësinë që ka marrë ai disa herë për të propozuar disa zgjidhje që janë inovative. Jam i gatshëm t’i mbështes ato”, kishte thënë Macron.

Ai theksonte se do t’i mbështesë të gjithë ata që duan përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Llogarisni në mua, e unë do të vazhdoj të jem me ju derisa të arrijmë përparim në këtë rrugë, në rrugën e normalizimit, por edhe në rrugën që na sjellë stabilitet e paqe në rajon dhe e di se ky është synimi juaj”, shprehej Macron.

Vuçiq, pas takimit me Macronin ishte shprehur i kënaqur, ndërsa thoshte se presidenti francez nuk donte t’ia impononte Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por ajo që është e rëndësishme për Serbinë është që presidenti i saj, Emanuel Macron, jo vetëm që nuk ka dëshirë të imponojë pikëpamje të tilla, por tregon një dëshirë për ta dëgjuar palën serbe, gjë që zakonisht nuk ndodh me shumë vende që e kanë njohur Kosovën”, deklaronte Vuçiq.

Presidenti serb Aleksander Vuçiq dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron para mediave, pak para se të niste takimi në pallatin presidencial, më 1 shkurt, 2021. (Fotografia nga Ludovic MARIN / AFP)

Macron gjatë një adresimi para gazetarëve në Paris kishte thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët.

“Në këtë çështje, të vetmet zgjidhje që çojnë në përpara, janë zgjidhjet për të cilat të dyja palët pajtohen, dhe të cilat do të na mundësonin të zgjidhim përfundimisht këtë çështje të rëndësishme që është në zemër të Evropës”, deklaronte Macron.

Ai thoshte se do të angazhohej dhe do të siguronte mbështetje për të gjithë ata që janë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Para takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Vuçiq thoshte se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk është çështje e lehtë për Serbinë dhe se shpreson se në fund të procesit do të arrihet një zgjidhje kompromisi e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët.

“Që të gjithë duhet të bëjmë gjithçka të arrijnë deri te një zgjidhje kompromisi për të dyja palët. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoj nga Macron idetë e tij origjinale dhe të përparuara për të arritur pranë marrëveshjes. Do ta prezentoj në mënyrë të sinqertë platformën tonë dhe jam i sigurt se me udhëheqjen e tij ne do të arrijmë rezultate në periudhën e ardhshme”, shprehej Vuçiq.

Në korrik të vitit të kaluar, në Pallatin Elysee kishte qëndruar edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Pas takimit në Paris me presidentin francez, Emmanuel Macron, Hoti thoshte se ai kishte shprehur gatishmërinë që ta vizitonte Kosovën në të ardhmen.

“Franca zotohet se do të vazhdojë ta përkrah Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, i cili duhet të çojë në njohje të dyanshme dhe normalizim të raporteve”, deklaronte Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përballë presidentit të Francës, Emmanuel Macron

Në nëntor të vitit 2019, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e kishte ndërmjetësuar një takim ndërmjet ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas një njoftimi të zyrës së ish-presidentit Thaçi, ai në këtë takim kishte konfirmuar se Kosova ishte e gatshme ta vazhdonte dialogun me Serbinë.

“Presidenti Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian”, thuhej në njoftim.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ndërmjetëson takimin ndërmjet ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq