Sot ceremonia mortore e legjendës Ozzy Osbourne, homazhe nga mijëra fansa në vendlindjen e tij në Birmingham - Gazeta Express
string(107) "sot-ceremonia-mortore-e-legjendes-ozzy-osbourne-homazhe-nga-mijera-fansa-ne-vendlindjen-e-tij-ne-birmingham"

Lajme

Gazeta Express

30/07/2025 8:18

Sot ceremonia mortore e legjendës Ozzy Osbourne, homazhe nga mijëra fansa në vendlindjen e tij në Birmingham

Lajme

Gazeta Express

30/07/2025 8:18

Mijëra fansa të Ozzy Osbourne do të kenë mundësinë t’i bëjnë homazh njërit prej legjendave të muzikës heavy metal, pasi trupi i tij do të përcillet sot, të mërkurën më 30 korrik, në vendlindjen e tij, Birmingham.

Ceremonia do të nisë në orën 15:00 dhe do të kalojë përgjatë rrugës Broad Street, duke u ndalur në të ashtuquajturën “Ura e Black Sabbath”, aty ku ndodhet edhe stoli i famshëm dedikuar grupit legjendar. Qindra fansa kanë lënë tashmë lule dhe mesazhe në vendin simbolik.

Përcjellja ceremoniale do të transmetohet drejtpërdrejt në pikën ku ndodhet stoli i Black Sabbath.

“Do t’i japim lamtumirën e fundit një prej legjendave të Birminghamit”, tha kryetari i bashkisë, Zafar Iqbal, sipas BBC.

Ai e përshkroi Ozzy Osbourne si “djalin e Birminghamit”, duke theksuar: “Ai e vendosi Birminghamin në hartën botërore. Ai vendosi zonën Aston në hartë”.

Ali Zaman, banori aktual i shtëpisë ku është rritur Osbourne në Aston, bëri të ditur se ka marrë mijëra mesazhe nga fansat dhe ka krijuar një adresë të posaçme emaili për t’i arkivuar, me qëllim krijimin e një arkive publike kujtimesh në një faqe interneti.

Ndërkohë, një peticion për ta riemërtuar aeroportin e Birminghamit në “Ozzy Osbourne International Airport” ka mbledhur mbi 46,000 nënshkrime.

Një përfaqësues i aeroportit deklaroi se janë duke shqyrtuar mënyra për ta nderuar trashëgiminë e Osbourne.

Ozzy Osbourne (4)

Sipas burimeve, ceremoninë do ta shoqërojë orkestra frymore lokale Bostin’ Brass, si dhe muzikanti Yungblud. Mediat britanike, përfshirë The Guardian, raportojnë se pjesëtarët e mbetur gjallë të Black Sabbath mund të kenë një rol aktiv në këtë proces.

Pas procesionit në qendër të qytetit, do të mbahet një ceremoni private varrimi, ku do të marrin pjesë vetëm miqtë dhe familjarët më të afërt.

Familja Osbourne ka mbuluar të gjitha shpenzimet e ceremonisë. Bashkëshortja e tij, Sharon, dhe fëmijët Kelly e Jack, do ta ndjekin procesionin përpara ceremonisë private, pa bërë publike detaje të mëtejshme.

Autoritetet e qytetit kanë marrë masa të veçanta për qarkullimin, duke mbyllur rrugë të caktuara për të lejuar një zhvillim të qetë të procesionit.

Ozzy Osbourne (3)

Rruga Broad Street do të jetë e mbyllur që nga ora 07:00 e mëngjesit të së mërkurës, ndërsa linjat e autobusëve dhe tramvajve do të devijohen në itinerare alternative.

Këshilli bashkiak deklaroi se ka bashkëpunuar ngushtë me familjen për organizimin e ngjarjes, e cila është financuar tërësisht nga familja Osbourne.

Fansat do të kenë mundësinë të nënshkruajnë librin e ngushëllimeve në Muzeun dhe Galerinë e Arteve të Birminghamit, ku aktualisht është e hapur ekspozita “Ozzy Osbourne: Heroi i Klasës Punëtore”, e inauguruar nga Sharon Osbourne.

Ozzy Osbourne (1)