Sot mbushen 35 vite nga një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë – hyrja masive e qytetarëve në ambasadat e huaja në Tiranë më 2 korrik 1990, që shënoi fillimin e fundit të regjimit komunist.
Afro 4.800 shqiptarë kaluan muret e përfaqësive diplomatike duke kërkuar “Liri dhe Demokraci”, një akt i paprecedentë kundër një diktature gjysmëshekullore. Sipas dosjeve të ish-Sigurimit, kjo u cilësua si “rrezik për rendin”, ndërsa regjimi e përshkroi si veprim të “huliganëve e njerëzve të pakënaqur”.
Ngjarja u kthye në një simbol të revoltës së parë të hapur ndaj pushtetit komunist, duke përgatitur terrenin për lëvizjen studentore të dhjetorit dhe fillimin e pluralizmit politik në vend.