Sot 115 vjet më parë lindi Mitrush Kuteli, autori i poezisë ‘Bie shi, Adrianë’ - Gazeta Express
string(74) "sot-115-vjet-me-pare-lindi-mitrush-kuteli-autori-i-poezise-bie-shi-adriane"

Arte

Gazeta Express

13/09/2022 16:57

Sot 115 vjet më parë lindi Mitrush Kuteli, autori i poezisë ‘Bie shi, Adrianë’

Arte

Gazeta Express

13/09/2022 16:57

Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrëfimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare  

Kuteli lindi me 13 shtator 1907 në Pogradec, ku mori dhe mësimet e para. Studimet e mesme i kreu në Selanik, në Shkollën Tregtare rumune (1921-1928); U diplomua në Bukuresht, më 1931 dhe më 1934; mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë.

Lexo Edhe:

Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit. Mbrojti të drejtat e Rumanisë në kundërshtim me interesat e “aleatit gjerman dhe për pasojë e mobilizuan në ushtri dhe e dërguan ne frontin e Lindjes. Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij.

Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. U largue nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.

Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.

Në maj 1947 Kutelin e arrestuan; e dënuan si “Armik i Popullit” me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. U lirua “me falje” në prill 1949. Dosja e akuzës kundër tij është zhdukur. Pas këtij viti Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri”, dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit. Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna e normuar e përkthimit. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967.

Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.

VEPRA E MITRUSH KUTELIT

“Rrjedhin lumenjtë”
“Vjeshta e Xheladin Beut”

“Lasgush Poradeci” (1937)

“Net shqiptare” (1938)

“Pylli i gështenjave” (1958)

“Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943)

“Sulm e lotë” (1943)

“Shënime letrare” (1944)

“Havadan më havadan” (1944)

“Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944)

“Dashuria e berberit Artan” (1946)

“Xinxifilua” (1962)

“Tregime të moçme shqiptare” (1965)

“Tregime të zgjedhura” (1972)

“Baltë nga kjo tokë” (1973)

“Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983)

“Këngë e britma nga qyteti i djegur”

“E madhe është gjëma e mëkatit”

/gazeta Express