I dërguari special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, sot e ka takuar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, raportojnë mediat serbe.
Siç ishte njoftuar më herët, fillimi i takimit është parashikuar në orën 08:30 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidencës serbe në Beograd. Peter Sorensen ka qëndruar për herë të fundit në Beograd në mesin e janarit, ndërsa më 11 shkurt atij iu zgjat mandati edhe për dy vjet të tjera, përkatësisht deri më 29 shkurt 2028.
Sorensen më herët qëndroi në Prishtinë, ku bisedoi me kryenegociatorin e ri të Kosovës, Glauk Konjufca, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, si dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë me njohje të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.