Sorensen i “ekipit të ëndrrave” i bllokuar nga kriza politike në Kosovë, kërkon të lëvizet përpara - Gazeta Express
string(95) "sorensen-i-ekipit-te-endrrave-i-bllokuar-nga-kriza-politike-ne-kosove-kerkon-te-levizet-perpara"

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 12:44

Sorensen i “ekipit të ëndrrave” i bllokuar nga kriza politike në Kosovë, kërkon të lëvizet përpara

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 12:44

Emisari i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ndonëse ka marrë detyrën që nga data 1 shkurt e vitit 2025, mundësitë e tij për të shtyrë përpara negociatat mes dy shteteve kanë qenë të pakta. Kjo pasi që Kosova ka mbajtur zgjedhjet nacionale një javë pas zgjedhjes së tij, dhe që nga ajo kohë vendi është pa një Qeveri të re, shkruan Express.

Bllokada tashmë disa mujore institucionale në Kosovë ka pamundësuar që të ketë ndonjë progres në dialog, ndonëse janë zhvilluar disa takime në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

Për këtë ngecje të dialogut dhe krizën institucionale në Kosovë, emisari danez ka zhvilluar të mërkurën një vizitë zyrtare në Kosovë pa paralajmërim, ku është takuar me krerët e shtetit dhe të partive politike.

Sorensen e ka pranuar edhe vetë që bazuar në situatën që ka parë në Kosovë, vonesat mund të zgjasin edhe për një kohë, megjithatë ai ka nënvizuar nevojën urgjente për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Sapo pata një takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Jam këtu për mandatin tim, për të diskutuar se si të zbatohet Marrëveshja e Ohrit , sepse situata politike këtu do të thotë se gjërat mund të zgjasin më shumë. Pra, ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, kishte deklaruar Sorensen pas takimit me Kurtin në Qeverinë e Kosovës, shkruan Express.

Në një postim në faqen e tij zyrtare në “X”, Sorensen ka shtuar se është koha për të lëvizur përpara.

“Vizitë produktive në Kosovë sot. Në të gjitha takimet e mia, theksova nevojën urgjente për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, tani më shumë se kurrë. Rruga drejt integrimit kalon përmes përparimit domethënës në Dialog. Koha për të ecur përpara”, ka shkruar Sorensen.

Për bllokadën politike në Kosovë që po pamundëson shfrytëzimin e administratës së re në BE ditë më parë ka shprehur pakënaqësi edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Duke e cilësuar përbërjen aktuale të udhëheqjes së BE-së si “ekipi i ëndrrave”, Ambasada gjermane ka thënë se Kosova e ka pritur për shumë gjatë një moment të tillë dhe se tashmë që ky “ekip ëndrrash” ndodhet në Bruksel, Kosova gjendet në bllokadë politike.

Krizës institucionale në të cilën është futur endi për shkak të mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës, pritet që nesër t’i japë zgjidhjen finale Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Pritet të shihet se cilat do të jenë pasojat për mosrespektimin e afatit 30 ditor kushtetues dhe se cila do të jetë rruga përpara për krijimin e institucioneve të reja./GazetaExpresss/