Sopranoja shqiptare që la gjurmë të pashlyeshme në muzikë - Gazeta Express

Arte

Gazeta Express

29/06/2021 2:27

Sopranoja shqiptare që la gjurmë të pashlyeshme në muzikë

Arte

Gazeta Express

29/06/2021 2:27

Tefta Tashko, ishte një këngëtare dhe soprano shqiptare si dhe figurë udhëheqëse në industrinë rajonale të muzikës. Ajo konsiderohej si një nga personalitetet më me ndikim të shekullit të XX-të në botën shqipfolëse.

Tashko iu kushtua studimit të këngës lirike qytetare shqiptare, përveç repertorit që tashmë ushtronte me muzikë dhome dhe operistike.

Lexo Edhe:

Regjistroi tri herë në disqe në tri periudha të ndryshme kohore, më 1930 me shoqërinë diskografike Pathé në Paris dhe më 1937 e 1942 për shoqërinë diskografike Columbia, në Itali.

Repertori vokal i përfshirë në këto tri periudha ishte ai i muzikës së lehtë (1930), ai klasik vokal (1937), dhe ai me 45 këngë lirike qytetare shqiptare (1942). Është vlerësuar nga kritika e vendit dhe e huaj, për teknikën e përsosur vokale, … tingullin e ndritshëm e të shëndetshëm, intonacionin e pastër si kristali, veprimet e matura dhe frazimin plot shije, (14 nëntor 1945).

Afër pesë vjet para se të vdiste, Tefta nga martesa e saj me Kriston pati një djalë të quajtur Eno.

Tashko u lind në Fajum të Egjiptit, vend në të cilin kishin emigruar prindërit e saj me origjinë nga Përmeti në fund të shekullit XIX.

Pas vdekjes së të atit, Athanas Tashkos, familja e saj kthehet në Korçë më 1921 dhe më 1927 së bashku më nënën, motrën dhe njërin prej vëllezërit Tefta largohet për në Montpellier të Francës, në konservatorin e të cilit do të studionte këndimin klasik.

Pas përfundimit të studimeve në këtë konservator, midis viteve 1931-1936 ajo studioi në Institut Musical & Dramatique dhe Conservatoire National de Musique et de Déclamation të Parisit.

Pas kthimit përfundimisht në Shqipëri më 1936, Tefta e prezantoi repertorin klasik me një solemnitet të veçantë dhe koncept të pasur. Metoda dhe stili i saj i sollën këndimit lirik shqiptar eksperiencën e një mjeshtreje të punës, të një perfeksionisteje.

Incizimet e saj në Paris dhe Milano janë dëshmi për këto gjykime. Në shënimet që shoqërojnë pllakat e kompanisë Columbia (Milano, viti 1937), mes të tjerash thuhet se Tefta, ‘’zotëron në shkallën më të lartë temperament, stil dhe cilësi zanore të rralla, timbër të kulluar çuditërisht fotogjenik’’.

Me interpretimet e saj, Tefta zhvilloi arkitekturën e këngëve popullore shqiptare në përmasat e një romance koncertale, thelloi karakterin autokton, zbukuroi melodinë dhe fjalën, pra edhe ekspresivitetin e gjuhës shqipe.

Aspektin e tyre lirik e transmetoi bashkë me një tension dramatik, duke lënë me këtë rast vulën personale, pra karakterin e ri estetik të tyre. Këngët e paharrueshme ’’Kroj’ i fshatit tonë’’, ’’Fryn veriu’’, ‘’Kur më vjen burri nga stani’’ dhe “Fol e qesh moj sy larushe” u kompozuan posaçërisht për Teftan.

Me interpretimin e tyre madhështor, por edhe të rreth 60 këngëve të tjera, ajo aktualizoi domethënien emocionale dhe krijoi një matricë stilistike me një vokal perfekt, ndërsa koeficienti kombëtar i këngës ‘’merr frymë’’ i lirë. Edhe në kohën e sotme këngëtarët lirikë shqiptarë i këndojnë në këtë mënyrë këto këngë. Efekti kombëtar, social dhe artistik i veprimtarisë të saj ishte shumë i madh.

Tefta deshi të ishte një artiste e lirë dhe e pavarur dhe me gjithë vështirësitë e shumta, ia doli mbanë. Për ketë arsye shtresa e intelektualeve të shquar të vendit e nderuan si një diva, të huajt panë me habi energjinë e racës shqiptare tek ajo, e madje edhe artistët e sotëm e kanë ende një model. Me të fillon ngjitja ambicioze dhe arrin apo gjen arti vokal shqiptar.

Ishte një figurë delikate dhe melankolike ku pasioni bashkohej me forcën e karakterit. Koncertet e saj kishin ngarkesën e një misioni mesianik në art, e imagjinatës dhe e planeve të ngjashme me ato që synojnë realizimet e veprave të mëdha. Dukej sikur vinte nga një botë tjetër dhe me këngën e saj lartësonte shpirtërisht botën shqiptare.

Vetëm përjetimi spiritual i këndimit të saj, dallimi i ngrohtësisë së brendshme dhe ngjyrave “përrallore” që vijnë prej zërit të saj, mund të shpjegojnë edhe pse 70–vjet pasi ndërroi jetë është po aq e admiruar ashtu si e adhuroi gjenerata e saj. Në saj të gjithçkaje që ka bërë, ajo bën pjesë në memorien historike të Shqipërisë si një personalitet i veçantë i panteonit kombëtar. /albanianhistory/