Sonte shfaqet premiera e operës “Goca e Kaçanikut” - Gazeta Express
string(48) "sonte-shfaqet-premiera-e-operes-goca-e-kacanikut"

Sonte shfaqet premiera e operës “Goca e Kaçanikut”

Arte

Gazeta Express

23/02/2024 13:58

Opera është e ndarë në dy akte, tre tablo. E tërë ngjarja është e vendosur në kohën e Rilindjes Kombëtare në qytetin e Kaçanikut. Në aktin e parë është paraqitur shtëpia e Pafikës në një ambient familjar ku bashkë me prindërit mendojnë për atë se ka ardhur koha që vajza e tyre të martohet, me një djalë trim, të ndershëm e i gatshëm për të dhënë jetën për liri. Ky djalë ishte Trimori.

Kjo pamje romantike shkatërrohet në momentin kur marrin vesh se forcat e Perandorisë osmane duan të shkatërrojnë çdo aktivitet patriotik të shqiptarëve të Kosovës. Ishte koha kur kjo Perandori, me anë të Xhonturqve mundohej të mashtronte masën se gjoja do t’u sigurojë liri e pavarësi. Në tablon e dytë të aktit të parë tregohet populli shqiptar i armatosur dhe i përgatitur për luftë.

Lexo Edhe:

Një nga fshatarët më të pasur Rus Bashi shkon të bisedojë me oficerin kryesor të ushtrisë perandorake Fiqali. Oficeri i ofron flori për marrjen e informatave kryesore për ushtrinë shqiptare. Trimori zbulon qëllimin tradhtar të Rus Bashit, i cili për të shpëtuar, para gjithë popullit akuzon Trimorin për tradhëti. Në këtë gjendje vetëm Pafika i beson të dashurit.

Trimori mbahet në arrest, gjersa krismat e pushkëve të armikut dëgjohen. Në grykën e Kaçanikut shqiptarët janë vendosur në pritë që të mos e lënë armikun të kalojë. Në aktin e dytë, tabloja e tretë lufta vazhdon. Në atë kohë, Rus Bashi dhe oficeri përpiqen ta rrëmbejnë Pafikën, dashurinë e Trimorit, por nuk ia arrijnë qëllimit sepse Trimori arrin ta çlirojë. Në këtë përleshje Pafika çarmatos dhe e vret Rus Bashin, kurse oficeri i frikësuar ia mbath. Në këtë skenë, si përfundim i të gjithë operës, paraqitet festimi i fitores dhe çlirimit me këngë dhe glorifikimin e trimërisë së Pafikës.