Sonte mbahet debati i parë presidencial mes Trumpit dhe Bidenit - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

29/09/2020 10:28

Sonte mbahet debati i parë presidencial mes Trumpit dhe Bidenit

Lajme

Gazeta Express

29/09/2020 10:28

Presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kandidati i Partisë Demokratike për këtë post, Joe Biden, do të përballen të martën në mbrëmje në debatin e parë presidencial. Ky debat pritet të sjellë betejë të ashpër politike që do të përcillet nga miliona njerëz.

Debati që do të zgjasë 90 minuta e paraqet fillimin e fazës përfundimtare të garës për Shtëpinë e Bardhë para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Joe Biden po vazhdon të ketë epërsi të konsiderueshme në sondazhe para garës.

Sipas një sondazhi të gazetës “New York Times” me 950 votues të mundshëm, që u bë javën e ardhshme, Bideni ka 8 për qind epërsi ndaj Trumpit. Megjithatë, performanca e tyre në debat mund t’ua ndryshojë kandidatëve përqindjen e përkrahjes.

Debati do të udhëhiqet nga gazetari i televizionit “Fox News”, Chris Wallace. Gjatë debatit nuk do të ketë ndërprerje marketingu dhe debati do të transmetohet drejtpërdrejt në tërë botën. Debati do të mbahet në Ohio.

Temat e debatit do të jenë Gjykata Supreme, pandemia e koronavirusit, ekonomia, dhuna racore në qytete dhe integriteti zgjedhor, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.

Para debatit, presidenti Trump e ka ftuar rivalin e tij politik që së bashku t’iu nënshtrohen testit për drogë. Nënpresidenti Biden tha gjatë një konference për gazetarë se nuk ka koment për këtë, ndërsa zyrtarët e fushatës së tij e refuzuan propozimin.