Sonte fillon edicioni i ri i “Anibar” - Gazeta Express
string(35) "sonte-fillon-edicioni-i-ri-i-anibar"

Arte

Gazeta Express

14/07/2025 14:44

Sonte fillon edicioni i ri i “Anibar”

Arte

Gazeta Express

14/07/2025 14:44

Më 15 korrik nis edicioni i 16-të i Festivalit të Filmit të Animuar “Anibar”, i cili këtë vit do të këtë lokacione të shumta: Kino Jusuf Gërvalla, Galeria e Artit, Qendra Kreative Dukagjini, Kino Liqeni, Kino Kubat, Parku i Karagaçit – Cage Stage, Hoteli Dukagjini, Kino Çarshia dhe Qendra e Mikpritjes (Hospitality Center).

Përmbledhje rreth edicionit të ri:

Çfarë bote po u lëmë gjeneratave të ardhshme?

Edicioni i 16-të i Anibarit po ndodh në një kohë të pasigurt, kur shpesh po e pyesim veten: Çfarë bote po u lëmë fëmijëve tanë? Edhe, çka mundemi me ju thonë për kohën që po e jetojmë? Edhe pa pasë përgjigje t’sakta, prapë besojmë në fuqinë që ka arti; me eduku, me vetëdijësu, me rritë empatinë e dashninë. Fëmijët janë hallka kryesore e kësaj lidhje. Sa ma shumë që e kapërcejnë rrethin e vet dhe zbulojnë horizonte të reja përmes kulturës e artit, aq ma shumë na lind shpresa për një të ardhme ma të mirë.

Si çdo vit, kemi përgatitë një përzgjedhje të fuqishme të filmave t’shkurtë t’animuar për fëmijë: mbi tridhjetë filma prej krejt botës,të krijuara prej autorëve që kanë pasë guxim me prekë tema të ndërlikuara, por me një ton e shpirt që u flasin fëmijëve. Këtë vit, përmes tregimeve t’ndryshme, përzihen temat si empatia, solidariteti, bukuria e dallimeve, edhe lidhja me natyrën. Në artikullin më poshtë po i veçojmë veç disa prej filmave, me ju frymëzu me pa krejt programin. Merreni fëmijën edhe hajdeni me u zhytë bashkë në botën e ngjyrosur e ndjeshme të filmave të animuar.

Shumica e tregimeve, si në përrallat klasike, përdorin kafshë që sillen si njerëz – për me i trajtu emocionet e vështira përmes një gjuhe që fëmijët e kuptojnë.
“Down in the Dumps” (Vera van Wolferen, Holandë) na fut në botën e insekteve për me folë për bullizmin përmes përjashtimit. Cinelli, një buburrecë që don me i pasë krejt perfekt, nuk e fton Perin, një morr, në ditëlindjen e saj. Si hakmarrje, Peri ia vjedh guaskën. Kur Cinelli e kupton që guaska i ka humbë dhe duhet me jetu pa pamjen e saj të bukur, bie n’një depresion t’thellë. Në anën tjetër, Peri nis me kuptu që jeta e Cinellit s’ka qenë edhe aq perfekte sa ka dukë. Me një ndërrim rolesh, si në përralla, tregimi sjell me butësi idenë që duhet me i pranue dallimet e tjetrit edhe t’vërtetat e vetes.

Filmi “Zoobox” (Myriam Schott, Linda Yi; Francë) merret me fuqinë e bashkimit. E frymëzuar nga tregimi biblik i anijes së Noes, ndjek një kangur të vogël, Kerala, që e ka humbë familjen. Në kërkim, takohet me kafshë të ndryshme që e ndihmojnë me aftësitë e veta. Kur bashkohen në mënyrën më të sinqertë, arrijnë me mbjellë farë dhe me rritë ushqim për me mbijetue derisa mbërrijnë në tokë.

Disa filma shikojnë drejt nga natyra, me tregu çka po i bën njeriu asaj. Një ndër ma të fuqishmit është “Ivanščica” (Tea Bošnjak, Kroaci), që kujton vizualisht filmin klasik “Bambi”. Na çon në një mal të bukur kroat, përmes syve të kafshëve që banojnë aty. Por kjo qetësi prishet dalëngadalë prej zhurmave t’makinave dhe ndërtimit të një guroreje. Në fund, mali shembet – e bashkë me të, edhe balanca e ekosistemit. Filmi mbyllet me një foto reale të vendit ku bazohet tregimi; një kujtesë e thjeshtë, por shumë e fuqishme për realitetin ekologjik.

“Once upon a time there was a mountain” (Boris Mashkovtsev, Federata Ruse) e sheh malin si një qenie të gjallë, jo thjesht si diçka për me u shfrytëzu. Ai jeton n’paqe, derisa vijnë njerëzit, edhe me ta, fillon rrënimi.

Shumë filma tjerë eksplorojnë temat e dallimeve, barazisë dhe pranimit përmes stileve t’ndryshme të tregimit.
“Skin Color” (Gilad Pfeffer, Liya Daniel Elbashan; Izrael) ndjek Mayën, një vajzë e vogël që, gjatë një ore arti, don me vizatu portretin e vet. Kur e kupton që ngjyra që quhet “ngjyrë lëkure” s’përputhet me të sajën, përballet me dëshirën për t’u pranu dhe me të vërtetën që ka brenda vetes. Në fund, Maya e thotë troç çka sheh dhe i nxit të gjithë me i përqafu të gjitha ngjyrat që formojnë botën. Me një stil minimal e shpërthime ngjyrash, filmi e sheh bukurinë edhe përtej normave, e sidomos fuqizon vajzat me qenë vetvetja.

“Maya’s Song” (Jayakrishnan Subramanian, Franziska Schönenberger; Gjermani) është një rrëfim personal, ndërtuar përmes dëshmive të drejtëpërdrejta. Maya, një vajzë afrikano-amerikane e birësuar nga një familje gjermane, ndan përvojat e saja dhe mënyrën si i ka kthyer në art. Me animacion dhe pamje dokumentare, filmi e shfaq dhembjen dhe frikën që ka përjetu, e përmbyllur me një këngë çliruese.

Ngjashëm ndjeshëm është edhe “Gjyshja ka një sy t’thyer dhe nana është aventurë” (Marita Mayer, Norvegji), ku fëmijë të moshave të ndryshme ndajnë mendime që i bëjnë me u ndi keq. Secili prej tyre ka një anëtar familje me afazi; një gjendje që e bën të vështirë shprehjen me fjalë. Tregimi i qetë e kthen fjalën në akt shërimi dhe sjell në vëmendje diçka që shpesh lihet anash.

Një prej filmave ma prekës është “Lola and the Sound Piano” (Augusto Zanovello, Francë), që ndjek një vajzë të mençur, Lola, dhe vëllain e saj pesëvjeçar, Simon, që është autik. Ajo e sheh ndjeshmërinë e tij ndaj tingujve të fshehtë dhe, bashkë me një shok, ndërton një makinë për me komuniku me të. Me një muzikë eksperimentale dhe animacion të veçantë, filmi e tregon magjinë e krijimtarisë që del prej autenticitetit.

Autore: Ivona Djuric